
Një person në Gjakovë është dërguar në paraburgim për një muaj, nën dyshimin për vjedhje të rëndë, pasi dyshohet se gjatë mesnatës ka hyrë në shtëpinë e fqinjit të tij dhe ka vjedhur para, pajisje elektronike, bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë.
Gjykata Themelore në Gjakovë e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore, duke ia caktuar të pandehurit me inicialet RR.H. masën e paraburgimit për një muaj.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, rasti dyshohet të ketë ndodhur më 12 tetor 2026, në mesnatë, në Gjakovë. I pandehuri, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, dyshohet se ka kapërcyer murin e shtëpisë së tij, ka hyrë në oborrin e fqinjit G.H. dhe më pas ka depërtuar brenda shtëpisë përmes derës së tarracës
Nga aty, sipas Prokurorisë, ai dyshohet se ka marrë një zarf të bardhë me 1.700 euro, një iPad të tipit “Apple”, një laptop të tipit “Pecard Bell”, dy telefona të tipit “Redmi”, disa kabllo dhe pajisje të vogla elektrike, një palë syze “Carrera” dhe disa palë syze të tjera, dy orë dore, bizhuteri, disa para-dinarë, një çantë udhëtimi dhe një çantë laptopi.
Me këto veprime, të dëmtuarit dyshohet se i është shkaktuar dëm material.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtarja e procedurës paraprake, Blerina Kurtaj, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.
I pandehuri do të mbahet në paraburgim nga 12 tetori deri më 11 nëntor 2026.
Kundër këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.



