Nga nesër nis sezoni i ngrohjes në Prishtinë: “Termokos” fuqizon kapacitetet për mbi 25 mijë konsumatorë

Ndërmarrja publike “Termokos” ka njoftuar se janë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për fillimin e sezonit ngrohës 2026/2027, i cili do të nisë zyrtarisht më 15 tetor për mbi 25 mijë konsumatorë të kyçur në rrjetin e ngrohjes së kryeqytetit.

Sipas njoftimit të ndërmarrjes, pas vlerësimit të përgatitjeve për sezonin e ri, kryeshefi ekzekutiv i Termokosit, Bersant Beka, në bashkëpunim me menaxhmentin, ka konstatuar se janë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme.

“Në bazë të këtij vlerësimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe kushtet klimatike, sezoni ngrohës 2026/2027 fillon zyrtarisht më 15 tetor për mbi 25 mijë konsumatorë të kyçur në rrjetin e ngrohjes së kryeqytetit”, thuhet në njoftimin e Termokosit.

Ndërmarrja ka bërë të ditur se gjatë ditëve të fundit janë finalizuar përgatitjet për fillimin e sezonit të ri ngrohës, ndërsa në kuadër të këtyre angazhimeve është nënshkruar edhe marrëveshja për furnizim me energji me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Po ashtu, në koordinim me Komunën e Prishtinës dhe organet drejtuese të ndërmarrjes, është vlerësuar se janë përmbushur kushtet për fillimin e sezonit ngrohës.

“Për të garantuar sigurinë e pajisjeve dhe funksionimin e qëndrueshëm të sistemit, furnizimi me ngrohje do të nisë me kapacitet të kufizuar dhe do të rritet gradualisht, deri në stabilizimin e plotë të furnizimit për të gjithë konsumatorët”, thuhet tutje në njoftim.

Artikuj të tjerë

Back to top button