Sherri mes fqinjëve që doli të jetë fatal: Gjykata Themelore e Pejes dënon të pandehurin me 22 vite burgim

Gjykata Themelore në Pejë ka shqiptuar dënim unik prej 22 vjetësh burgim ndaj të pandehurit A.N., i shpallur fajtor për tri vepra penale, përfshirë vrasjen dhe vrasjen e rëndë në tentativë.

Aktgjykimi është shpallur nga Departamenti i Krimeve të Rënda, me trupin gjykues të kryesuar nga Musë Povataj, me anëtarët Veton Ademaj dhe Shaqë Curri

Sipas aktgjykimit, për veprën penale të vrasjes, të pandehurit i janë shqiptuar 19 vjet burgim. Për veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë, ai është dënuar me pesë vjet burgim, ndërsa për mbajtjen, kontrollin ose posedimin e paautorizuar të armëve, me një vit burgim.

Pas shqiptimit të dënimeve individuale, gjykata ka caktuar dënimin unik prej 22 vjetësh burgim.

Po ashtu, gjykata ka urdhëruar konfiskimin e armëve dhe municionit të sekuestruar, ndërsa ka vendosur vazhdimin e paraburgimit ndaj të pandehurit deri në marrjen e formës së prerë të aktgjykimit, por jo më gjatë se dënimi unik i shqiptuar.

M.A. dyshohet se u vra nga fqinji i tij, tashmë i dënuari, A,N., në prill të vitit 2022. Vrasjes dyshohet se i parapriu një zënkë mes disa familjarëve të viktimës dhe të dyshuarit që eskaloi në rrahje, e më vonë rezultoi të jetë edhe fatale.

Mësohet se familjari i të dyshuarit në kohën kur ndodhi vrasja ishte duke u intervistuar nga policia në cilësinë e viktimës për rrahje.

Artikuj të tjerë

Back to top button