Ministria e Mjedisit: Gjendja nga mbeturinat në Prishtinë është e rëndë nga inspektimet konstatohet se po rrezikohet shëndeti i qytetarëve

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar se Inspektorati i Ministrisë ka shqiptuar gjoba ndaj institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë. Sipas saj, inspektimet kanë konstatuar gjendje të rëndë që rrezikon shëndetin e qytetarëve.

Pacolli ka kritikuar kryetarin Përparim Rama dhe ka kërkuar përgjegjësi për situatën.

Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka inspektuar situatën në Prishtinë dhe ka konstatuar një gjendje të rëndë, e cila po rrezikon drejtpërdrejt shëndetin e popullatës. Për këtë katastrofë mjedisore, janë shqiptuar gjoba ndaj institucioneve përgjegjëse.” ka shkruar ministrja Pacolli. Sipas saj, menaxhimi i tyre është detyrimi më bazik që një qeverisje lokale duhet ta përmbushë.

Ajo ka thënë se Komuna e Prishtinës dhe ndërmarrja publike ia hedhin fajin njëra-tjetrës, në atë që e ka cilësuar si tentativë për të fshehur paaftësinë. “Nëse Kryetari Përparim Rama dhe i gjithë zinxhiri i tij menaxhues dështojnë në këtë detyrë kaq elementare, atëherë qytetarët me të drejtë pyesin se cili është funksioni i këtij pushteti” ka shkruar Pacolli.

Sipas saj, ligji do të zbatohet, ndërsa përgjegjësia për dështimin do t’u faturohet të gjithë atyre, pa dallim, që po rrezikojnë shëndetin e qytetarëve.

Artikuj të tjerë

Back to top button