Policia e Kosovës hap procedurën e prokurimit në vlerë prej 800 mijë euro për furnizimin me autobusë

Policia e Kosovës ka hapur procedurë të prokurimit për furnizimin me autobusë, me vlerë të parashikuar prej 800 mijë eurosh.

Sipas njoftimit për kontratë, të publikuar më 15 tetor 2026, bëhet fjalë për një kontratë publike kornizë me kohëzgjatje prej 36 muajsh, ndërsa vendi kryesor i dorëzimit është Flota Operative e Policisë së Kosovës.

Procedura do të zhvillohet e hapur, ndërsa kriter për dhënien e kontratës është çmimi më i ulët. Operatorët ekonomikë që dëshirojnë të marrin pjesë duhet të plotësojnë kriteret e përcaktuara në dosjen e tenderit, përfshirë kapacitetet financiare dhe teknike.

Një nga kërkesat është që operatorët të dëshmojnë qarkullim prej së paku 1.5 milion eurosh në total gjatë tri viteve të fundit. Po ashtu, kërkohet garanci e plotë për autobusët, që përfshin edhe servisimet e rregullta, deri në 300 mijë kilometra ose për tre vjet, varësisht se cili afat arrihet i pari.

Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është 26 nëntor 2026, në orën 14:00. Ofertat duhet të dorëzohen në mënyrë elektronike përmes platformës së e-Prokurimit, ndërsa siguria e tenderit është përcaktuar në vlerën prej 20 mijë eurosh.

Artikuj të tjerë

Back to top button