
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat dhe të hapen negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Gjatë fjalës së tij në seancën e Samitit të Procesit të Berlinit, ai ka theksuar se Kosova i qëndron vlerave evropiane dhe se në politikën e jashtme vepron sikur të ishte vend anëtar i BE-së, ndërsa ka kërkuar edhe anëtarësimin në NATO.
Kurti ka kritikuar Serbinë për qasjen ndaj Kosovës, duke e akuzuar se ka përdorur metoda armiqësore të ngjashme me ato të Rusisë. Ai ka përmendur sulmin terrorist në Banjskë dhe shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit, ndërsa ka theksuar se Milan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, vazhdon të jetë i lirë dhe i mbrojtur nga Serbia.
“Në Kosovë, një fqinj ka përdorur të njëjtat metoda, për të njëjtat qëllime, kundër shtetit tonë. Muajin e kaluar u bënë tre vjet nga sulmi terrorist në fshatin verior, Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë sonë, Afrim Bunjaku. Muajin e ardhshëm, bëhen dy vjet nga shpërfaqja e luftës kinetike nëpërmjet një sulmi ndaj infrastrukturës kritike, me shpërthimin e kanalit të furnizimit me ujë të Ibër-Lepencit në fshatin verior, Varagë. Të dyja sulmet ishin bërë për të qenë të mohueshme. Njeriu që ka pranuar përgjegjësinë për Banjskën, Milan Radoiçiq, një kriminel dhe zgjatim lokal, bredh ende i lirë, hapur në publik, i mbrojtur nga aparati i njëjtë shtetëror”, ka thënë ai.
Kreu i Qeverisë ka kërkuar një reagim të përbashkët evropian ndaj sulmeve të tilla, duke argumentuar se ato nuk prekin vetëm Kosovën, por edhe sigurinë e gjithë Evropës. Sipas tij, anëtarësimi në NATO do të shërbente edhe si mekanizëm parandalues për Kosovën.
“Sulmi ndaj një demokracie evropiane është sulm ndaj gjithë Evropës dhe meriton përgjigje kolektive, sepse reagimi që ndërtohet rast pas rasti nuk është parandalues. Për Kosovën anëtarësimi në NATO sjell edhe parandalimin”.
Gjatë fjalës së tij, Kurti ka ngritur edhe çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke u bërë thirrje pjesëmarrësve të Samitit që ta përcjellin nga afër gjendjen e tyre.
“Ju bëj thirrje të shikoni nga afër Luginën e Preshevës, ku shqiptarët, hap pas hapi, po shtyhen jashtë institucioneve, jetës publike e qytetare, derisa qëndrimi po bëhet shumë më i vështirë sesa largimi. Dinjiteti njerëzor dhe të drejtat e njeriut janë të parat në mesin e vlerave që duhet t’i ndajmë së bashku”.



