
Ministria e Punëve të Brendshme ka shpallur konkurs për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, me mandat pesëvjeçar dhe mundësi vazhdimi pas çdo pesë vjetësh.
Konkursi për këtë pozitë vjen pas dorëheqjes së ish-drejtorit, Gazmend Hoxha.
Kandidati që do të përzgjidhet do të jetë përgjegjës për udhëheqjen, kontrollin dhe mbikëqyrjen e Policisë së Kosovës, si dhe për administrimin dhe menaxhimin e institucionit.
Ndër përgjegjësitë kryesore të drejtorit janë edhe menaxhimi dhe shpërndarja e buxhetit të Policisë, zbatimi i politikave të MPB-së që lidhen me Policinë, propozimi i strukturës së brendshme organizative dhe sigurimi që ushtrimi i autorizimeve policore të bëhet në përputhje me ligjin dhe duke respektuar të drejtat e njeriut.
Drejtori i Përgjithshëm do t’i raportojë dhe do t’i përgjigjet drejtpërdrejt ministrit të Punëve të Brendshme për administrimin dhe menaxhimin e Policisë së Kosovës.
Sipas kushteve të konkursit, kandidatët duhet të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, të kenë diplomë universitare nga një universitet i akredituar në Kosovë ose diplomë të fituar jashtë vendit dhe të nostrifikuar.
Një nga kriteret kryesore është që kandidati të ketë mbajtur gradën policore kolonel, nënkolonel ose major për së paku pesë vjet.
Kriteret e konkursit parashohin po ashtu që kandidatët nuk duhet të kenë qenë të dënuar për vepër penale me vendim të formës së prerë, të mos jenë ndëshkuar për shkelje të rënda disiplinore gjatë dhjetë vjetëve të fundit dhe të mos kenë konflikt interesi me ushtrimin e kësaj detyre.
Gjatë procesit të vlerësimit do të merren parasysh aftësitë për udhëheqje strategjike, menaxhim të personelit dhe buxhetit, vendimmarrje në situata komplekse, koordinim institucional, komunikim dhe integritet profesional.
Shqyrtimi dhe vlerësimi i aplikacioneve, përzgjedhja e kandidatëve për intervistë dhe intervistimi do të bëhen nga Komisioni për Emërime të Larta në Polici.
MPB-ja ka bërë të ditur se siguron mundësi të barabarta dhe trajtim pa diskriminim gjatë procedurës së konkurrimit, duke inkurajuar aplikimin e grave dhe burrave nga të gjitha komunitetet që i plotësojnë kriteret.
Konkursi do të jetë i hapur deri më 19 nëntor.
Aktualisht, ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm është Fehmi Hoti.



