Dy automjete të raportuara si të vjedhura gjenden brenda 24 orëve në Prizren dhe Suharekë

Policia e Kosovës ka arritur të gjejë dy automjete të raportuara si të vjedhura brenda 24 orëve në rajonin e Prizrenit.

Rasti i parë ishte raportuar në fshatin Reshtan të Suharekës, ku nga një autoservis ishte vjedhur një veturë Fiat Doblo, e cila ishte dërguar për riparim. Automjeti u lokalizua më 17 nëntor pranë hyrje-daljes së autostradës në fshatin Duhel dhe u sekuestrua për ekzaminim para se t’i kthehet pronarit.

Ndërkaq, rasti i dytë ishte raportuar në lagjen Dardania në Prizren, ku pronari kishte denoncuar zhdukjen e veturës së tij Mitsubishi.

Pas hetimeve, Policia identifikoi personin që e kishte marrë automjetin. I dyshuari deklaroi se punonte si agjent për sigurimin e automjeteve dhe se, për shkak të një ngatërrimi, kishte marrë gabimisht veturën e ankuesit, pasi të dy automjetet ishin të të njëjtit model.

Automjeti Mitsubishi iu kthye pronarit në gjendje të rregullt, ndërsa rasti është proceduar në konsultim me Prokurorin e Shtetit.

Të dyja rastet janë trajtuar nga hetuesit policorë, ndërsa hetimet për rastin e vjedhjes në Suharekë po vazhdojnë.

Artikuj të tjerë

Back to top button