Udhëheqësi i QPS-së në Pejë pohon se në rastin e Arlinda Zekajt nuk ishte hartuar plani individual, madje nuk ishte bërë as vlerësimi i punës së zyrtarëve

Udhëheqësi i Qendrës për Punë Sociale në Pejë, Durim Kelmendi, ka pranuar para Komisionit Hetimor Parlamentar se në rastin e Arlinda Zekajt nuk ishte hartuar plani individual, dokument ky që sipas tij është obligativ.

Gjatë raportimit para deputetëve, Kelmendi pranoi gjithashtu se nuk kishte bërë vlerësim të punës së zyrtarëve të përfshirë në këtë rast.

I pyetur nga deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, nëse ishte përgatitur plani individual për rastin, Kelmendi tha se dokumentacioni ishte plotësuar, por jo në përputhje me standardet e kërkuara.

“Po ka pasur, në rastin konkret ka munguar plani. Është obligative, 05 ka qenë i plotësuar, është plotësuar në një formë tjetër jo sipas standardit”, deklaroi Kelmendi.

Ai përmendi edhe mungesën e psikologes së QPS-së, e cila në atë periudhë ishte në pushim të lehonisë, duke thënë se ishte kërkuar angazhimi i një psikologeje tjetër.

Sa i përket mënyrës se si rasti kishte arritur në Qendrën për Punë Sociale, Kelmendi tha se ai ishte raportuar si dhunë në familje, ndërsa vlerësimin e nivelit të rrezikshmërisë e bën Policia.

“Ka ndodhur rasti, është raportuar si dhunë në familje. Nivelin e rrezikshmërisë e vlerëson policia, çdo informacion që e kemi ia bashkëngjisim”, tha ai.

Gjatë dëshmisë, Kelmendi u pyet edhe për kapacitetet e institucionit që drejton. Ai deklaroi se shërbimi ka vetëm katër punëtorë, duke e lidhur mungesën e stafit me ngarkesën e madhe të punës.

“Në shërbimin tim i kam vetëm katër punëtorë, për shkak të volumit kemi mungesë të punëtorëve”, tha Kelmendi.

Ai bëri të ditur se në QPS-në e Pejës janë gjithsej 1 mijë e 150 dosje, ndërsa 73 raste kanë të bëjnë me dhunën, prej të cilave 50 janë aktive.

“Janë 73 raste të dhunës, aktive janë 50. Katër punëtorë i kemi aktivë. Kemi raportime javore të dokumentuara”, deklaroi ai.

Në fund, Kelmendi bëri të ditur se ndaj punëtorëve të përfshirë në rastin e Arlinda Zekajt është iniciuar procedurë disiplinore.

Dëshmia e tij u dha para Komisionit Hetimor Parlamentar, i cili po heton rrethanat dhe përgjegjësitë institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt.

Rasti Arlinda Zekaj, dëshmia e menaxheres së QPS-së mbahet larg syrit të publikut

Intervistimi i menaxheres së Qendrës për Punë Sociale në Pejë, Toska Gega, në kuadër të Komisionit Hetimor Parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt, do të zhvillohet me dyer të mbyllura.

Vendimi u mor me shumicë votash, pas kërkesës së vetë Gegës, e cila arsyetoi se gjatë dëshmisë do të trajtohen edhe informacione që lidhen me një të mitur.

Megjithatë, propozimi për mbylljen e plotë të intervistimit nxiti diskutime mes deputetëve. Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje kërkoi që së paku pjesa hyrëse e intervistimit të jetë publike, pasi, sipas tij, ajo përmban çështje të përgjithshme.

Edhe deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, u shpreh për transparencë, duke kërkuar që vetëm pjesët që përmbajnë informacione të ndjeshme të zhvillohen pa praninë e publikut.

Në fund, komisioni vendosi që intervistimi i menaxheres së QPS-së në Pejë të mbahet i mbyllur, me arsyetimin se dëshmia përfshin çështje që prekin një të mitur.

Se çfarë informacionesh do të dalin nga kjo dëshmi dhe çfarë përgjegjësish mund të evidentohen në kuadër të hetimit parlamentar, mbetet të shihet në vijim të punës së komisionit.

Komisioni Hetimor vendos për intervistimin e zyrtarëve në rastin e Arlinda Zekajt

Komisioni Hetimor Parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt ka diskutuar mënyrën e intervistimit të zyrtarëve institucionalë, duke u pajtuar që procesi të zhvillohet kryesisht në seanca të hapura për publikun, ndërsa informacionet konfidenciale të trajtohen në mbledhje të mbyllura.

Gjatë mbledhjes, deputetët ngritën çështjen e transparencës dhe të sigurimit të dokumentacionit nga institucionet përkatëse.

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, kërkoi sqarime përse kërkesat për dokumente nuk u ishin dërguar të gjitha institucioneve, pavarësisht dakordimit të mëhershëm.

Kryetari i Komisionit, Burim Ramadani, tha se vonesa kishte ardhur për arsye teknike dhe siguroi se një situatë e tillë nuk do të përsëritet.

Ai njoftoi se më 27 nëntor do të ftohen për intervistim hetuesit policorë, ndërsa nga 30 nëntori deri më 4 dhjetor do të intervistohen zyrtarët e zinxhirit komandues të Policisë dhe Inspektoratit Policor.

Ndërkohë, deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi, propozoi që intervistimet të ndahen në dy faza: pjesa e parë të zhvillohet publikisht, ndërsa pjesa e dytë, që përfshin të dhëna personale dhe konfidenciale, të mbahet pa praninë e publikut.

Ky propozim u mbështet edhe nga deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani.

Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe intervistimit të zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale, për të cilët Doarsa Kica-Xhelili rekomandoi mbledhje të mbyllur, për shkak të pyetjeve që mund të përfshijnë informacione lidhur me fëmijën.

Në përfundim, kryetari i Komisionit, Burim Ramadani, sqaroi se kërkesa për mbylljen e një pjese të intervistimit duhet të bëhet nga pala që dëshmon, ndërsa vendimi përfundimtar do të merret nga anëtarët e Komisionit përmes votimit.

Nis intervistimi i dëshmitarëve për rastin Arlinda Zekaj

Ka nisur mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt, ku pritet të intervistohen disa zyrtarë institucionalë dhe përfaqësues të Qendrës për Punë Sociale në Pejë.

Gjatë mbledhjes, e cila po zhvillohet nën drejtimin e kryetarit të Komisionit, Burim Ramadani, pritet të dëgjohen dëshmitë e Toska Gegës, Durim Kelmendit, Shpat Morinës, Shpresa Lukajt dhe kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherit.

Në fillim të mbledhjes pati edhe përplasje verbale mes deputetit të PDK-së, Eman Rrahmani, dhe anëtarit të Komisionit nga VV-ja, Armend Baloku.

Debati nisi lidhur me mundësinë e konfliktit të interesit të ekspertit Skender Kandiq, për shkak të angazhimit të tij të mëparshëm në Qendrën për Punë Sociale.

Deputeti Eman Rrahmani ka ngritur çështjen e mundësisë së konfliktit të interesit nga ana e ekspertit të angazhuar në këtë komision, Skender Kandiq.

Rrahmani kërkoi nga Kandiq që të sqarojë angazhimin e tij të mëparshëm në Qendrën për Punë Sociale, në mënyrë që të shmangen situatat që mund të ndikojnë në punën e komisionit.

“Sa i përket ekspertëve, ne kemi votuar në mbledhjen e fundit edhe një ekspert tjetër. Ai është votuar në mbledhjen e fundit të këtij komisioni. Nga eksperti Skender Kandiq do të kërkoja të deklarojë nëse ka konflikt interesi në këtë komision, për shkak se ai ka qenë pjesë e Qendrës për Punë Sociale. Do të ishte mirë të na njoftonte për punën dhe angazhimin e tij para se të fillojmë këtë proces, në mënyrë që të mos vijmë në një situatë të papërshtatshme gjatë punës së komisionit”, ka theksuar Rrahmani.

Gjithashtu, Rrahmani ka kërkuar që eksperti të japë detaje për periudhën gjatë së cilës ka qenë i angazhuar në QPS dhe për funksionet që ka ushtruar.

“Na tregoni për aktivitetin tuaj, periudhën kur keni qenë i angazhuar dhe ku keni punuar deri në periudhën e fundit”, ka theksuar Rrahmani.

Skender Kandiq sqaroi se në Qendrën për Punë Sociale kishte punuar për 17 vjet para luftës, ndërsa pas luftës kishte ushtruar detyrën e drejtorit në Spitalin Rajonal të Shëndetit Mendor, deri në pensionim.

Ai mohoi kategorikisht mundësinë e konfliktit të interesit, duke theksuar se pas luftës nuk kishte pasur më asnjë kontakt me QPS-në në Pejë.

“Para luftës kam punuar në Qendrën për Punë Sociale për 17 vjet. Pas luftës kam qenë drejtor i Spitalit Rajonal të Shëndetit Mendor deri në pensionim. Në QPS pas luftës nuk kam pasur asnjë kontakt, pra në QPS në Pejë. Nuk kam asnjë konflikt interesi”, ka deklaruar Kandiq.

Komisioni po shqyrton veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Artikuj të tjerë

Back to top button