Detaje të reja nga zjarri që kaploi një banesë në Ferizaj ku banorët e tjerë u evakuaun për disa orë

Një banesë në Ferizaj është përfshirë nga flakë të mëdha, mëngjesin e së shtunës dhe së dielës.

Qytetarët kanë treguar se kanë qenë të frikësuar dhe në panik nga situata me zjarrin, sipas tyre banorët është dashur edhe të evakuohen për disa orë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka bërë të ditur se Policia është njoftuar për zjarrin më 22 nëntor, rreth orës 02:58 pas mesnatës.

Sipas tij, rasti ka ndodhur në rrugën “Sali Çeku”, në katin e 4-të të një kompleks banesor.

Njësitet policore, sipas tij, në bashkëpunim me zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës, kanë evakuuar banorët e hyrjes dhe të ndërtesës, me qëllim të sigurimit të jetës dhe sigurisë së tyre.

“Zjarri është shuar plotësisht rreth orës 05:15, pas së cilës banorëve u është lejuar të kthehen në banesat e tyre”, shtoi ai.

Ai bëri të ditur se si pasojë, janë shkaktuar dëme materiale, ndërsa një zjarrfikës ka pësuar djegie në dorë, përveç kësaj nuk raportohet për persona tjerë të lënduar.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit policorë. Me udhëzim të prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Incident zjarri”, ndërsa vendi i ngjarjes mbetet nën mbikëqyrjen e Policisë deri në përfundimin e ekzaminimit forenzik.

Artikuj të tjerë

Back to top button