Dogana zbulon deklarim të pasaktë të mallrave në Vërmicë, vlera rreth 3,400 euro

Dogana e Kosovës ka zbuluar një rast të deklarimit të pasaktë të mallrave nga një operator ekonomik në pikën doganore në Vërmicë.

Gjatë kontrollit të dokumentacionit, zyrtarët doganorë kanë ngritur dyshime për klasifikim të pasaktë tarifor të mallrave, për çka ato janë ndaluar dhe i janë nënshtruar kontrollit fizik.

Pas verifikimit, është konstatuar se mallrat i nënshtroheshin një klasifikimi tjetër tarifor, i cili kërkon edhe pajisjen me licencë importi.

Vlera e mallrave, pa përfshirë detyrimet e importit, është rreth 3,400 euro.

Sipas Doganës, veprimi i operatorit ekonomik përbën kundërvajtje doganore për deklarim të pasaktë të mallrave, ndërsa ndaj tij do të ndërmerren veprimet përkatëse ligjore.

Dogana u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë që, në rast paqartësish rreth klasifikimit tarifor të mallrave, të kërkojnë paraprakisht sqarime nga institucionet doganore.

Artikuj të tjerë

Back to top button