Dështon seanca për rezervat shtetërore, Rozeta Hajdari dhe të tjerët nuk paraqiten në gjykatë

Seanca gjyqësore në rastin e rezervave shtetërore, e paraparë të mbahej sot në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, ka dështuar për shkak të mosparaqitjes së të akuzuarve.

Në gjykatë nuk janë paraqitur Rozeta Hajdari, Irfan Lipovica dhe Ridvan Muharremi, duke pamundësuar mbajtjen e seancës. Në këtë rast të akuzuar janë edhe Hafiz Gara, ish-zyrtar i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Seanca ishte pritur të mbahej pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila më 13 nëntor 2026 kishte refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes, duke lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për vazhdimin e procedurës ndaj katër të pandehurve.

Çfarë përmban aktakuza?

Prokuroria Speciale e ka ngritur aktakuzën më 11 nëntor 2025. Sipas saj, Rozeta Hajdari, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara dyshohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar gjatë procesit të kontraktimit për furnizimin me mallra të rezervave shtetërore, gjatë muajve shkurt dhe mars të vitit 2022.

Prokuroria pretendon se përmes këtyre veprimeve buxhetit të Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 2.912.134,78 eurosh.

Të tre të pandehurit akuzohen edhe për zbulim të fshehtësisë zyrtare, pasi dyshohet se i kanë dhënë Ridvan Muharremit, pa autorizim, informacione lidhur me vendndodhjen e rezervave shtetërore.

Ndërkaq, afaristi Ridvan Muharremi akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar. Sipas aktakuzës, ai dyshohet se ka ndërmjetësuar, negociuar dhe propozuar operatorë ekonomikë për furnizimin me mallra të rezervave shtetërore.

Pas ngritjes së aktakuzës, ish-ministrja Rozeta Hajdari kishte mbrojtur vendimet e marra gjatë kohës sa drejtonte MINT-in, duke deklaruar se furnizimi me produkte bazë për rezervat shtetërore ishte realizuar në një periudhë të vështirë për vendin.

Artikuj të tjerë

Back to top button