
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka vlerësuar se iniciativa e kryeministrit Albin Kurti për mbështetjen e investimeve të diasporës përmes mekanizmit “Dritarja për Investime të Diasporës” është e mirëseardhur, por sipas tij, vetëm garantimi i kredive nuk është i mjaftueshëm për të tërhequr investitorët.
Shahini ka thënë se diaspora përfaqëson një potencial të madh ekonomik për Kosovën, jo vetëm përmes remitancave, por edhe përmes kapitalit, përvojës, teknologjisë dhe lidhjeve me tregjet ndërkombëtare.
Megjithatë, ai ka theksuar se për të nxitur investimet nevojitet një klimë e sigurt biznesore, sundim i ligjit dhe kushte të barabarta për të gjithë investitorët.
“Çdo iniciativë që ndihmon investimet e diasporës është e mirëseardhur. Diaspora është një potencial i madh ekonomik për Kosovën, jo vetëm përmes remitancave, por edhe përmes kapitalit, përvojës, teknologjisë dhe lidhjeve me tregjet ndërkombëtare. Megjithatë, Kosova nuk ka nevojë vetëm për premtime dhe garanci kreditore, por për një klimë të sigurt biznesore, sundim të ligjit dhe kushte të barabarta për investitorët”, tha Shahini
Sipas Shahinit, Kosova duhet ta orientojë kapitalin e diasporës nga konsumi dhe patundshmëritë drejt prodhimit, industrisë, bujqësisë, teknologjisë dhe eksporteve, me qëllim të hapjes së vendeve të reja të punës dhe zhvillimit ekonomik.
“Ne duhet ta kthejmë kapitalin e diasporës nga konsumi dhe patundshmëritë drejt prodhimit, industrisë, bujqësisë, teknologjisë dhe eksporteve. Kjo do të ndikonte drejtpërdrejt në hapjen e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin ekonomik”, tha kryetari i AKB-së.
Shahini ka vlerësuar se garantimi i kredive nga shteti është instrument i dobishëm, por investitorët kanë nevojë edhe për lehtësime fiskale, energji me çmime konkurruese, procedura të shpejta administrative, siguri juridike dhe politika ekonomike të qëndrueshme.
“Garantimi i kredive është një instrument i dobishëm, por nuk është i mjaftueshëm. Investitorët kanë nevojë për lehtësime fiskale, energji me çmime konkurruese, procedura të shpejta administrative, siguri juridike dhe politika ekonomike të qëndrueshme”,tha Shahini.
Shahini ka ngritur shqetësimin edhe për gjendjen e prodhuesve vendorë, duke thënë se rreth 15 qumështore vendore janë buzë falimentimit, sipas shqetësimeve të sektorit, për shkak të konkurrencës së pabarabartë dhe zbatimit të standardeve të dyfishta.
“Por, para se t’i ftojmë investitorët e rinj, duhet t’i ruajmë edhe bizneset që tashmë i kemi në Kosovë. Sot kemi një shqetësim serioz: rreth 15 qumështore vendore janë buzë falimentimit, sipas shqetësimeve të sektorit, për shkak të konkurrencës së pabarabartë dhe zbatimit të standardeve të dyfishta. Kjo duhet të jetë alarm për institucionet. Nuk mund të flasim për mbështetjen e investimeve të reja, ndërkohë që prodhuesit tanë vendorë rrezikojnë të mbyllen. Standardet duhet të jenë të njëjta për produktet vendore dhe ato të importuara”, deklaroi Shahini për FrontOnline.
Kreu i AKB-së ka thënë se një ndër objektivat kryesore të kësaj skeme duhet të jetë edhe krijimi i partneriteteve ndërmjet bizneseve të diasporës dhe atyre ekzistuese në Kosovë. Sipas tij, këto bashkëpunime do të mundësonin sjelljen e kapitalit, teknologjisë, përvojës menaxheriale dhe qasjes në tregjet ndërkombëtare.
“Patjetër. Kjo duhet të jetë një ndër objektivat kryesore të kësaj skeme. Bizneset e diasporës duhet të bashkëinvestojnë me bizneset vendore, duke sjellë kapital, teknologji, përvojë menaxheriale dhe qasje në tregjet ndërkombëtare”,tha kreu i AKB-së. Shahini ka theksuar se Aleanca Kosovare e Bizneseve, përmes rrjetit të saj, mund të luajë rol të rëndësishëm në krijimin e partneriteteve të tilla.
Në fund, ai ka bërë thirrje që institucionet të mos përqendrohen vetëm në tërheqjen e investitorëve të rinj, por edhe në ruajtjen e atyre që tashmë operojnë në Kosovë.
“Nuk duhet të lejojmë që bizneset tona të detyrohen të largohen dhe të investojnë në vendet e tjera për shkak të mungesës së sigurisë, politikave të paqëndrueshme dhe konkurrencës së pabarabartë. Diaspora e ka dëshmuar patriotizmin e saj për dekada. Tani institucionet duhet ta dëshmojnë përgjegjësinë e tyre ndaj kapitalit dhe biznesit kosovar”, ka përfunduar Shahini.
VETËM EDHE SOT! Mos i humb ofertat e 13-vjetorit të FiveStar!
Read more



