
Policia e Kosovës ka zhvilluar sot një operacion në kuadër të hetimeve për narkotikë, gjatë të cilit janë sekuestruar rreth 3 kilogramë substancë e dyshuar si marihuanë.
Sipas Policisë, Sektori Qendror për Hetimin e Narkotikëve kishte vënë nën vëzhgim dy automjete të dyshuara për transport të substancave narkotike nga Prishtina në drejtim të Mitrovicës.
Pas ndalimit të automjeteve, në njërën prej tyre janë gjetur dhe sekuestruar rreth 3 kilogramë substancë e dyshuar si marihuanë
Gjatë tentativës për ndalim, të dyshuarit nuk u janë bindur urdhrave të zyrtarëve policorë dhe automjetet kanë goditur zyrtarët. Policia ka bërë të ditur se në këtë situatë zyrtarët kanë përdorur armën e zjarrit për neutralizimin e rrezikut.
Në kuadër të operacionit janë kryer edhe tri bastisje në lokacione të ndryshme. Si prova janë sekuestruar edhe:
• 0.7 gramë substancë e dyshuar si marihuanë
• Dy automjete
• Dy telefona celularë
Për rastin është njoftuar prokurori kompetent, ndërsa personat e dyshuar, pas arrestimit dhe procedurave ligjore, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Hetimet për rastin po vazhdojnë.


