ARKEP-i tregon sa numra telefonikë janë bartur që nga nisja e sistemit të bartshmërisë në Kosovë

Bartshmëria e numrave të telefonisë mobile në Kosovë po zhvillohet pa vështirësi që nga nisja e zbatimit më 5 tetor 2026, sipas Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP). 

Në një përgjigje nga ARKEP kanë konfirmuar se numri i bartjeve të realizuara deri më 22 tetor, në orën 14:00, është gjithsej 2,300.

Prej tyre, rreth 2,200 numra janë bartje nga IPKO drejt Valës, ndërsa nga Vala drejt IPKO-s janë bartur rreth 100 numra, përcjell Buletini Ekonomik.

Rregullatori ka bërë të ditur se bartshmëria aktualisht zbatohet vetëm ndërmjet Telekomit të Kosovës (Vala) dhe IPKO-s, ndërsa numrat e operatorit mts D.O.O. nuk mund të barten drejt këtyre dy operatorëve apo anasjelltas.

Sipas ARKEP-it, shërbimi zbatohet vetëm ndërmjet operatorëve të rrjeteve mobile që posedojnë autorizime individuale nga ky autoritet dhe që kanë qenë pjesë e projektit të bartshmërisë që nga fillimi, përkatësisht Telekomit të Kosovës dhe IPKO-s.

“Rrjedhimisht, në kuadër të këtij procesi, nuk është përfshirë dhe nuk mund të realizohet bartja e numrave nga operatori mts D.O.O. drejt këtyre dy operatorëve apo anasjelltas”, thuhet në përgjigjet e ARKEP-it.

Nga ky institucion kanë sqaruar veçmas se numrat me prefiksin 047, të alokuar për operatorin mts D.O.O., aktualisht nuk mund të barten drejt Valës ose IPKO-s për shkak të kufizimeve në mënyrën e operimit të këtij operatori, përfshirë kufizimet infrastrukturore dhe territoriale që burojnë nga konteksti i zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit./B.Ekonomik

Artikuj të tjerë

Back to top button