
Biznesmeni Valon Lluka, është arrestuar sot nga Policia e Kosovës.Lidhur me rastin është deklaruar edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës, zëdhënësja Kaltrina Shala.
Nga Prokuroria Themelore shprehen, se Lluka dyshohet për disa vepra penale.
” Ju njoftojmë se, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar një person me inicialet V.Ll., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak se i njëjti dyshohet për kryerjen e veprave penale “Mashtrimi”, nga neni 323, “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”, nga neni 318, “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”, nga neni 284, si dhe veprës penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”, nga neni 285 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Lidhur me rastin në fjalë, prokurori i çështjes, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rrethanave të rastit. Ndërkohë, Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, do të shqyrtojë mundësinë për caktimin e ndonjërës prej masave të sigurimit ndaj të pandehurit”, thuhet në përgjigjje.
Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm, prezumohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.


