
Dukagjini i Klinës nuk ka arritur të mposhtë skuadrën e vendit të fundit në Superligën e Kosovës në futboll, Prishtinën e Re.
Ndeshja përfundoi me shifrat e njëjta siç edhe nisi, pasi rrjetat nuk u tundën asnjëherë brenda 90 minutave.
Klinasve iu duhej fitore që të ngjiteshin në krye të tabelës, por që fati nuk ishte në anën e tyre.
Dukagjini aktualisht zë vendin e dytë me 28 pikë, kurse Prishtina e Re të fundit me 15 pikë nga 17 xhiro.
E Drenica në anën tjetër mposhti në shtëpi Ferizajn me rezultat 2-1.
Ndeshjen më mirë e nisën mysafirët, duke shënuar të parët për 1-0 qysh në minutën e 4-të, por që vendësit u rikthyen pas 12 minutash me një autogol të Ferizajt.
E në minutën e 31-të, drenicasit kaluan në avantazh me golin e Kreshnik Ukës. Me këtë rezultat edhe përfundoi ndeshja.
Vlen të theksohet se kjo ishte edhe ndeshja e trajnerit të ri të Drenicës, Thomas Brdaric, i emëruar pak ditë më parë.
Këto dy skuadrat gjenden në “zonën e kuqe” – Drenica në vendin e 8 me 20 pikë e Ferizaj në të nëntin me 16 pikë.



