EKSKLUZIVE/ Aktakuzë ndaj Xhevat Kokollarit, pronar i “Cani Bau”, dhe Avni Seferaj, pronar i “H. Seferi”, për dëm mbi 15 mijë euro Komunës së Suharekës nga mosndërtimi i rrugëve

Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, ku dy prej tyre janë pronarë të operatorëve ekonomikë të përfshirë në projekte infrastrukturore në Komunën e Suharekës, shkruan TandemPress.
Në mesin e të akuzuarve nga sektori privat sipas burimeve të TandemPress janë Xhevat Kokollari pronar i kompanisë Cani Bau dhe Avni Seferaj pronar i kompanisë H Seferi.
Sipas aktakuzës, të dyshuarit akuzohen për “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik”, pasi dyshohet se nuk i kanë realizuar të gjitha punimet e parapara në kontrata, ndërsa kanë dorëzuar dokumentacion ku punimet figuronin të përfunduara në tërësi.
Rasti lidhet me tre rrugë lokale në fshatin Javor në Komunën e Suharekë:
- “Fejzë Koliqi – Gashi”
- “Hafir Gashi”
- “25 Gushti”
Sipas aktakuzës, për këto projekte dyshohet se punimet nuk janë realizuar në tërësi, megjithatë janë raportuar si të përfunduara në dokumentacion zyrtar, duke mundësuar pagesa publike.
Kontrata nuk ishte realizuar në tërësi, pasi rruga “Fejzë Koliqi – Gashi” nuk ishte ndërtuar fare. Me këto veprime, operatorit ekonomik i është mundësuar përfitim i kundërligjshëm në shumën prej 9,050 euro, ndërsa Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm material.
Përveç rrugës “Fejzë Koliqi- Gashi” edhe rrugët “Hafir Gashi” dhe “25 Gushti” nuk ishin ndërtuar fare. Me këto veprime, sipas aktakuzës, operatorit ekonomik i është mundësuar përfitim i kundërligjshëm në shumën prej 6,439.82 euro, ndërsa Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm material./TandemPress/


