Fruthi në Kosovë: 137 raste të konfirmuara, 25 të reja vetëm gjatë javës së fundit

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se nga 16 prilli deri më 17 gusht 2026, në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 137 raste me fruth.

Vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 25 raste të reja, ndërsa numri më i madh i rasteve është raportuar në Prishtinë dhe Fushë-Kosovë.
Sipas të dhënave të IKShPK-së, rastet janë të shpërndara në disa komuna të Kosovës:
Prishtinë – 47 raste
Fushë-Kosovë – 34 raste
Ferizaj – 12 raste
Obiliq – 8 raste
Kaçanik – 7 raste
Lipjan – 7 raste
Skenderaj, Vushtrri dhe Drenas – nga 3 raste
Gjilan, Shtime, Shtërpcë dhe Deçan – nga 2 raste
Gjakovë, Graçanicë, Mitrovicë, Podujevë dhe Viti – nga 1 rast

Në komunat me numrin më të lartë të rasteve, ekipet e vaksinimit kanë intensifikuar aktivitetet gjatë javës së fundit. Në Prishtinë, Fushë-Kosovë, Ferizaj, Obiliq, Vushtrri dhe Skenderaj janë vaksinuar me MMR gjithsej 276 fëmijë që kishin vonesa në vaksinim sipas kalendarit të rregullt.

IKShPK u ka bërë thirrje qytetarëve që, në rast të simptomave të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje ose ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë dhe konjuktivit, të paraqiten menjëherë në institucionin më të afërt shëndetësor.
Instituti ka theksuar se, për shkak të infektueshmërisë së lartë të fruthit dhe rrezikut të përhapjes në komunitet, prindërit dhe kujdestarët duhet të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurojnë vaksinimin sipas kalendarit të rregullt.


Sipas IKShPK-së, vaksinimi mbetet mënyra më e sigurt dhe më efektive për parandalimin e fruthit, kufizimin e përhapjes së sëmundjes dhe mbrojtjen e shëndetit publik

Artikuj të tjerë

Back to top button