Gjenerali i ushtrisë jo politike

Shkruan: Afrim Kasolli

Zgjedhjet e fundit nacionale të mbajtura me 9 shkurt, por edhe zhvillimet që pasuan pas tyre treguan edhe një herë fuqinë e brendshme partiake të atij që quhet si klani “Bon Vivant” apo “grupi i gjimnazistëve” në hierarkinë e Partisë Demokratike. Të njëjtit fillimisht e pozicionuan vetën në 10-të e parë të listës për deputetë dhe me përjashtim të një vartësi të tyre thuajse pa përjashtim i fituan ulëset në Kuvendin e Kosovës. Kurse për zgjedhjet lokale të 12 tetorit e imponuan atë zëvendësim që mund të jetë dukur i paimagjinueshëm, ku në vend të Ramiz Lladrovcit e nominuan shokun e “studimeve” të Abelard Tahirit për pozitën e kandidatit për kryetar të Komunës së Drenasit edhe pse kandidati i kësaj partie për kryeministër, Bedri Hamza, ishte kundër kësaj lëvizje.

Prandaj, me të drejtë është shtruar shpeshherë pyetja se nga buron kjo fuqi e errët politike e këtij grupi të mbyllur financiar brenda PDK-së? Sepse bie fjala, dihet nga buron legjitimiteti i brendshëm i atyre që dolën nga lufta e të cilët u reshtuan në kuadër të PDK-së.

Të njëjtit sot vazhdojnë t’i gëzojnë pozitat më larta në kundërshtim kushtetutën e brendshme partiake, statutin e saj. Vullneti i bazës partiake vazhdon të jetë peng i kësaj kaste, sepse zgjedhjet në këtë parti ka kohë që i takojnë historisë.

Sipas shumë spekulimeve të brendshme nga ky subjekt politik, potenca e këtij grupi në masë të madhe ka bazë nga mbështetja që e gëzon prej njërës prej figurave ikonike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjeneralit të njohur, kryetarit aktual të degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku. Madje kanë qarkulluar “legjenda ndër urbane” se nëse kandidati aktual i kësaj partie për kryetar të Komunës së Skenderajt do ta tërheq investimin politik në ta të njëjtit shemben si kullë prej rërë brenda natës

Personalisht, nuk mund ta mohoj e as ta pohoj një pretendim të tillë. Ndonëse më duket e pabesueshme që një emër me një të kaluar të tillë heroike që kishte qenë në gjendje ta sfidonte edhe vdekjen për hir të lirisë, e cila është vlera më sublime e politikës ta lidh vetveten me kastën më të mundshme apolitike. Sepse të njëjtit deri më sot nuk janë dalluar për asnjë betejë politike. Mbijetesën, e tyre e ka karakterizuar kalkulimi për përfitime personale nën ombrellën politike të tjerëve. Edhe lëvizja e fundit për ta nominuar Bedri Hamzën si kandidat për kryeministër nuk ishte asgjë tjetër, vetëm një strukje tinëzare për të mos marr përgjegjësi për t’u ballafaquar në teatrin e politikës me Albin Kurtin. Sikur të njëjtit të ishin të sigurt se do të kishin sukses në këtë betejë kurrë nuk do tregonin këtë shpirt “gjeneroz”.

Gjithçka është e mundur. Që edhe Sami Lushtaku të jetë tunduar nga një aleancë e tillë e brendshme. Ai edhe ka mundur ta bind vetën se këta “ushtarë” i nevojiten në betejat e tij. Por siç e dëshmuan edhe sulmet e fundit ndaj tij nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, asnjëri nuk mori mundin t’i dal në përkrahje. Përkundrazi, secili prej tyre shpreson se sa më pak konfrontime që të kenë me Albin Kurtin aq më të mëdha i kanë shanset për sukses individual nga miratimi publik. Derisa në fund të krijohet përshtypja publike se Sami Lushtaku, pas Hashim Thacit dhe Kadri Veselit ka mbetur pengesa e vetme e reformave në këtë parti edhe shtrimit të shtratit për bashkëpunim ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Ngase, Albin Kurti asnjëherë nuk e ka mohuar këtë skenar, por e ka vendosur si parakusht reformimin e saj sipas shijeve politike të tij. Që ajo në fund të mos përfaqësojë asgjë nga trashëgimia e UCK-së. Por që të jetë një amallgamë “post-politike dhe pseudo-urbane”

Sami Lushtaku ka edhe të drejtë ta shndërrojë vetën në “mastermind politik” të këtij klani. Askush nuk mund ta determinojë vullnetin e tij autonom. Por nëse ky spekulim është i vërtetë, mjerisht me këtë me këtë investim ai vetëm mund ta shndërrohet në trampolinë të mirëmbajtjes së interesave të tyre financiare si dhe të tjetërsojë aktivitetin dhe misionin e tij nga çdo kauzë politike dhe partiake. Fund ky, që do t’i shkonte më së paku për shtati atij. 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Lexo edhe për
Close
Back to top button