GJURIQ REPRIZON “VIKTIMIZIMIN” NË NJU JORK

Shkruan: Arben Fetoshi
Këshilli i Sigurimit është kthyer në një “echo chamber” të propagandës serbo-ruse për Kosovën.
Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq me reprizën e “viktimizimit”, duke dezinformuar për “diskriminim institucional, frikësim dhe presion sistematik” ndaj serbëve në Kosovë. Edhe performanca e sotme, një farsë që bazohej në efektet e përsëritjes dhe në shfrytëzimin e seancës si një platformë për ‘ndërkombëtarizimin’ e propagandës.
Shifrat pa asnjë shpejgim mbi “incidentet etnike”, pretendimi për “respektimin e të drejtës ndërkombëtare”, si dhe kornizimi i FSK-së si “militarizim që minon stabilitetin rajonal”, u dekonstruktuan aty për aty, jo vetëm nga kryediplomati kosovar, Glauk Konjufca, por edhe nga shumica e vendeve anëtare.
Gati të gjithë i kërkuan Serbisë përgjegjësi për Radoiçiqin, e disa ia kujtuan se pavarësia e Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, duke kërkuar njohjen e saj si zgjidhja e normalizimit dhe si kusht për paqen e qëndrueshme.
Mirëpo, Gjuriq nuk e ka problem demantimin, për shkak se ky forum nuk e ka një mekanizëm që sanksionon të vërtetën. Ajo që ka rëndësi për Serbinë është UNMIK-u si mbetje e Rezolutës 1244, Këshilli i Sigurimit si platformë propagandistike dhe Rusia si aleate e saj në nivelin ndërkombëtar.
Ai nuk shkon në Nju Jork për t’iu përgjigjur Shteteve të Bashkuara, Britanisë apo Francës, madje as Kosovës, por për ta amplifikuar “viktimizimin”. Fjalimet e tij janë recital i përsëritur i një komunikimi strategjik që synon ta deformojë realitetin në Kosovë.
Për këtë arsye, raportet e UNMIK-ut shfrytëzohen si “ftesë” për performancën e tij, duke ricikluar narrativat dhe fabrikimet e gatuara në Beograd.
Për këtë arsye, Shtetet e Bashkuara e refuzojnë këtë cirk absurd, duke përsëritur kërkesën për mbylljen e UNMIK-ut.
Jo sepse në Këshillin e Sigurimit nuk duhet të flitet për Kosovën, por sepse mbyllja e tij do ta reflektonte të vërtetën e Kosovës së pavarur dhe do ta mbyllte një kanal për narrativat e rrejshme serbo-ruse.
Forumi i mandatuar për sigurinë dhe paqen ndërkombëtare, s’do të duhej të shërbejë edhe më tutje si hapësirë riciklimi për narrativat manipuluese që kërcënojnë stabilitetin në Ballkan.



