Haxhiu: Lufta e drejtë e UÇK-së dhe mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë e bënë Kosovë të pavarur

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, së bashku me ministrin në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, kanë bërë homazhe në 27-vjetorin e Masakrës në Bukosh.
Haxhiu tha se më 3 maj të vitit 1999, pra para 27 viteve, nga kolona e familjeve shqiptare u ndanë 25 civilë të pafajshëm, burra e djem nga mosha 85 vjeçe deri në atë 5 vjeçare.
“Ata u morën dhunshëm nga familjet e tyre. Familjet e tyre në anën tjetër u detyruan që ta vazhdojnë rrugën e dëbimit. Ndërsa civilët e pafajshëm u sollën në këtë shkollë, u vendosën pranë mureve të kësaj shkolle dhe u pushkatuan. Pra, jo në një betejë, jo në një përballje të armatosur, por u vranë dhe u pushkatuan mizorisht, ftohtësisht e qëllimshëm”, theksoi Haxhiu.
Sipas saj, kjo çfarë ka ndodhur para 27 viteve këtu në Bukosh nuk është rast i izoluar, por është dëshmi e gjenocidit dhe spastrimit etnik që Serbia e ka bërë në Republikën e Kosovës.
“Por, qëndresa e shqiptarëve të Kosovës, guximi dhe po ashtu bindja që duhet të qëndrojmë të fortë, e ka detyruar Serbinë që të zmbrapset. Pra, lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qëndresa e popullit tonë dhe mbështetja e partnerëve tanë ndërkombëtarë, kanë bërë që Kosova edhe të çlirohet, edhe të jetë e lirë, edhe të jetë e pavarur”, është shprehur Haxhiu.
Ajo më tej tha se sot i nderojmë martirët civilë të pafajshëm, por jemi edhe pranë familjeve, shumë prej tyre janë të mbijetuar të kësaj masakre, dhe përkundër dhimbjes ata qëndruan të fortë. Kjo pra është dëshmia që populli jonë është i fortë pavarësisht sfidave që i kalon.
Haxhiu tha se si institucione të Republikës së Kosovës do të angazhohen në vazhdimësi që t’i adresojnë përgjegjësitë që kemi e sidomos në rastet kur kanë të bëjnë me drejtësinë, sepse nuk mund të vazhdojmë tutje pa pasur drejtësi për krimet e luftës, kudo që po shkojmë, kërkesa e familjarëve është që të ketë drejtësi për këto raste.
“Ju e dini që së fundmi janë ndërmarrë shumë veprime, përfshirë edhe gjykimin në mungesë, sepse Serbia nuk i dorëzon kriminelët e luftës. Prandaj, edhe përkundër faktit që së fundmi ka pasë përparime në këtë drejtim, kaq shumë krime ka pasë në Kosovë që janë bërë nga Serbia, sa që përparimet duken pak. Prandaj, i thërrasim institucionet e drejtësisë që të vazhdojnë punën dhe angazhimin në hetimin, pra ndjekjen penale dhe gjykimin e kriminelëve të luftës”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Më pas, Haxhiu dhe Hoti, bënë homazhe tek shtatorja e Heroit Besim Ndrecaj, në Therandë./EO



