KEK hap procedurën e ri-tenderimit për furnizimin e vajrit dhe yndyrnave për njësitë për A3, A4 dhe A5

Korporata Energjetike e Kosovës ka hapur procedurë të ritenderimit për furnizimin me vajra lubrifikues dhe yndyrna industriale për blloqet A3, A4 dhe A5 të Termocentralit Kosova A.

Sipas njoftimit për kontratë, vlera e parashikuar e këtij aktiviteti të prokurimit është 202 mijë e 357 euro, ndërsa kontrata parashihet të zgjasë 45 ditë nga dhënia e saj.

KEK-u e ka përcaktuar procedurën si të hapur, ndërsa kriteri për dhënien e kontratës do të jetë çmimi më i ulët.

Në dokumentacionin e prokurimit thuhet se kjo është një procedurë e ritenderimit, pasi procedura e mëparshme për furnizimin me vajra dhe yndyrna ishte anuluar. KEK thekson se furnizimi është i domosdoshëm për mirëmbajtjen dhe funksionimin e rregullt të pajisjeve në TC Kosova A.

Sipas arsyetimit të dhënë në njoftim, mungesa e këtyre materialeve mund të shkaktojë vonesa në punimet e planifikuara, rritje të rrezikut për defekte në pajisje dhe ndikim në vazhdimësinë e proceseve operative. Për këtë arsye, KEK ka kërkuar që procedura të zhvillohet me afat të shkurtuar, me qëllim sigurimin në kohë të furnizimit.

Furnizimi do të realizohet në depon e TC Kosova A, ndërsa kontrata nuk është e ndarë në pjesë.

Artikuj të tjerë

Back to top button