KFOR-i dhe BE-ja rikonfirmojnë angazhimin për dialogun Kosovë-Serbi

Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, priti të mërkurën në takim emisarin e Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, si dhe shefin e Misionit të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano.
KFOR bën të ditur se takimi u përqendrua në situatën e sigurisë në Kosovë, stabilitetin rajonal dhe mbështetjen e vazhdueshme të KFOR-it për procesin e dialogut, transmeton Klankosova.tv
Sipas njoftimit të lëshuar në Facebook, KFOR-i citon Ulutashin duke theksuar angazhimin e KFOR-it ndaj misionit të tij të mandatuar nga OKB-ja dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me Bashkimin Evropian dhe partnerë të tjerë.
“Vizita vuri theksin në angazhimin e gjatë dhe të palëkundur të NATO-s dhe BE-së për të punuar së bashku për të konsoliduar një mjedis të qëndrueshëm dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe për stabilitetin rajonal”, thuhet nga KFOR-i.
Sorensen ishte takuar edhe më 8 gusht me ish-komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani, ku biseda në atë takim ishte fokusuar kryesisht në zhvillimet mbi situatën e sigurisë në Kosovë dhe në mbështetjen e vazhdueshme të KFOR-it për dialogun e lehtësuar nga BE-ja midis Kosovës dhe Serbisë.
Takimi i fundit në kuadër të procesit të dialogut u zhvillua më 11 shtator në Bruksel të Belgjikës me dy kryenegociatorët e të dyja shteteve, Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviqin.
Në një postim në platformën X, më 12 shtator, Sorensen ka theksuar se i priti drejtuesit e të dyja ekipeve për takime dypalëshe dhe trepalëshe për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe adresimin e çështjes së personave të zhdukur.