Klubi i Elbasanit pensionon numrin 27 si shenjë respekti për Fatjon Bunjakun

Klubi i Futbollit Elbasani ka marrë një vendim simbolik dhe emocional pas ndarjes tragjike nga jeta të futbollistit të ri Fatjon Bunjaku, i cili vdiq në orët e hershme të mëngjesit gjatë ditës së diel në një aksident fatal që ndodhi në rrugën Mitrovicë–Vushtrri, një ngjarje që ka pikëlluar familjen, miqtë, bashkëlojtarët dhe gjithë komunitetin sportiv.

Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje të përhershme për kontributin e tij, klubi ka vendosur që të tërheqë nga përdorimi fanellën me numrin 27, numër që Bunjaku e kishte mbajtur gjatë periudhës së tij te skuadra elbasanase, transmeton Klankosova.tv.

Ky vendim vjen si një akt nderimi për kujtimin e tij dhe lidhjen që ai kishte me klubin.

Në njoftimin zyrtar të klubit theksohet se ky numër do të mbetet përgjithmonë pjesë e trashëgimisë së tij në Elbasan.

“Si shenjë respekti dhe mirënjohjeje të përhershme për Fatjon Bunjakun, numri 27 do të tërhiqet nga përdorimi në AF Elbasani dhe do të mbetet përgjithmonë pjesë e trashëgimisë së tij në klub”, thuhet në deklaratën e klubit.

Artikuj të tjerë

Back to top button