KRU “Gjakova” paralajmëron padi ndaj një fermeri pasi derdhi qumësht në lum

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” ka njoftuar se do të iniciojë padi dhe procedurë gjyqësore ndaj një qytetari, pasi sipas saj ai publikoi në rrjetin social Facebook video dhe fotografi ku shihet duke derdhur qumësht në lumin Bistricë.
Sipas njoftimit të kompanisë, bëhet fjalë për një fermer, i cili dyshohet se ka derdhur qumësht në lumin Bistricë, ujërat e të cilit derdhen në kanalin furnizues të Liqenit të Radoniqit.KRU “Gjakova” ka bërë të ditur se, bazuar në vlerësimet e ekspertëve të saj, qumështi paraqet ngarkesë të lartë organike për mjedisin ujor.
“Shkencërisht, ai nxit shumimin e baktereve, rrit turbullirën e ujit dhe konsumin e oksigjenit, shton kërkesën për klor gjatë procesit të dezinfektimit dhe mund të favorizojë formimin e trihalometaneve (THM)”- thuhet në njoftim.Për këtë arsye, kompania njoftoi se ka ndërprerë për disa orë mbushjen e Liqenit të Radoniqit me ujë nga kanali furnizues, deri në përfundimin e vlerësimeve dhe marrjen e masave të nevojshme nga ekipet profesionale.
KRU “Gjakova” bëri të ditur se lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, e cila pritet të ndërmarrë veprimet sipas kompetencave ligjore



