
Kur drejtësia bëhet e shtrenjtë, barazia para ligjit mbetet vetëm parim
Shkruan: Besnik R. BERISHA, avokat
Në çdo shoqëri demokratike, qasja në drejtësi nuk matet me parime të shkruara në Kushtetutë, por me mundësinë reale të qytetarit për t’i trokitur derës së gjykatës pa u ndalur nga frika e kostos. Në momentin kur çmimi i drejtësisë rritet ndjeshëm, ajo pushon së qeni e drejtë universale dhe shndërrohet në privilegj.
Nga 1 janari 2026, me hyrjen në fuqi të Udhëzimit Administrativ nr. 03/2025 për taksat gjyqësore, sistemi gjyqësor i Kosovës hyn në një fazë të re, një fazë në të cilën barriera financiare rrezikon të zëvendësojë filtrin juridik. Rritja e taksave gjyqësore, në disa raste deri në nivele disproporcionale, nuk është më çështje teknike apo administrative, por problem thelbësor i qasjes në drejtësi.
Në praktikë, një qytetar që sot mendon të iniciojë një procedurë civile apo administrative, nesër mund të përballet me taksa që arrijnë deri në 2,500 euro, ndërsa një subjekt ekonomik në Gjykatën Komerciale mund të detyrohet të paguajë deri në 10,000 euro, vetëm për të ushtruar të drejtën e padisë. Këto shuma nuk janë neutrale, ato janë përjashtuese.
Përvoja profesionale tregon se një pjesë e konsiderueshme e palëve tashmë hezitojnë të ndjekin procedura gjyqësore për shkak të kostove. Me këtë udhëzim, hezitimi rrezikon të shndërrohet në dorëzim. Nga pikëpamja kushtetuese, veçanërisht shqetësuese është rritja e kostove për ankesat dhe mjetet e jashtëzakonshme juridike, ku kërkohet pagesa e 50% të taksës fillestare. Kjo nënkupton se korrigjimi i gabimeve gjyqësore po shndërrohet në luks, e jo në të drejtë.
Në teori, argumenti institucional është i njohur: më pak padi, më shumë efikasitet. Në praktikë, rezultati shpesh është i kundërt. Sistemet që e shtrenjtojnë drejtësinë nuk prodhojnë domosdoshmërisht gjykata më efikase, por qytetarë më të heshtur dhe padrejtësi të pazgjidhura. Siç thuhet me të drejtë në praktikën juridike ndërkombëtare: “Drejtësia e vonuar është padrejtësi, por drejtësia e mohuar për shkak të kostos nuk është fare drejtësi.”
Në një vend me standard jetese të brishtë, me biznese të vogla që mezi mbijetojnë dhe me qytetarë që luftojnë për të mbuluar shpenzimet bazike, një politikë e tillë fiskale mbi drejtësinë kërkon rishqyrtim serioz, profesional dhe proporcional. Jo për të mohuar nevojën për funksionalitet institucional, por për të ruajtur ekuilibrin ndërmjet interesit publik dhe të drejtave themelore.
Nëse ky ekuilibër nuk rivendoset me kujdes, ekziston rreziku real që drejtësia në Kosovë të mos vlerësohet më mbi bazën e argumentit juridik, por mbi kapacitetin financiar të palës. Dhe në atë moment, problemi nuk është vetëm juridik, është problem demokratik.
Debati për taksat gjyqësore nuk është debat për para. Është debat për kënd shërben drejtësia dhe kujt i mbetet e paarritshme. Prandaj, koha për rishqyrtim nuk është nesër, është tani.



