LIBERALIZIMI I ENERGJISË Supremja shqyrton padinë e Odës Ekonomike

Oda Ekonomike e Kosovës ka njoftuar se Gjykata Supreme ka vendosur të procedojë me shqyrtimin e padisë së parashtruar kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), lidhur me daljen e detyrueshme në tregun e lirë të energjisë.
“Pavarësisht se kërkesa për vendosjen e masës së përkohshme për pezullimin e vendimit nuk është aprovuar, me arsyetimin se akti ‘Njoftimi i ZRrE-së’ nuk i plotëson kriteret e një akti nënligjor normativ, çështja do të shqyrtohet në mënyrë meritore për të gjitha aktet nënligjore të ZRrE-së, përveç këtij njoftimi, në përputhje me afatet ligjore”, thuhet në njoftimin e OEK-ut.
Oda pret që gjykata të vendosë brenda afatit 60-ditor nga data e paraqitjes së padisë. Gjithashtu, ajo kërkon anulimin e akteve nënligjore të ZRrE-së, me të cilat janë përcaktuar kriteret për daljen në tregun e lirë.
Ditë më parë, KEDS nisi shkëputjen nga rrjeti të rreth 1400 bizneseve që nuk kishin lidhur marrëveshje për dalje në tregun e lirë.