Milan humbi edhe nga Atalanta, Championsi “ëndërr” apo realitet dy xhiro para fundit

Milan po kalon një krizë të thellë në momentin më vendimtar të sezonit. “Rossonerët” pësuan humbjen e katërt në pesë ndeshjet e fundit kampionale, duke rrezikuar seriozisht kualifikimin në Ligën e Kampionëve.
Skuadra milaneze zhvilloi një paraqitje të zbehtë ndaj Atalanta, që triumfoi 2-3 në “San Siro”, edhe pse mysafirëve pikët nuk iu nevojiteshin domosdoshmërisht.
Për bergamaskët realizuan Ederson, Davide Zappacosta dhe Giacomo Raspadori, ndërsa Milan reagoi vetëm në fundin dramatik të ndeshjes.
Strahinja Pavlovic fillimisht ngushtoi rezultatin, ndërsa Christopher Nkunku realizoi nga penalltia për ta kthyer shpresën te vendasit.
Madje, në minutat e fundit Matteo Gabbia ishte shumë pranë golit të barazimit 3-3, por nuk arriti ta konkretizojë rastin ideal.
Tashmë situata për Milan është alarmante. Ndeshja e parafundit ndaj Genoa shihet si “jetike”, pasi çdo rezultat tjetër përveç fitores mund t’i japë fund ëndrrës për Champions League.
Rivalët direkt për pozitën e katërt kanë kalendar më të favorshëm, me përjashtim të Romës, që javën e ardhshme zhvillon derbin e madh lokal ndaj Lazios.



