
Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit
Projektligji kaloi në lexim të dytë me votat e 61 deputetëve. Votë kundër dhe abstenim nuk kishte.
Ky projektligj ishte miratuar në lexim të parë në Kuvend në seancën e 5 tetorit me 98 vota për.
Para se të shqyrtohet në lexim të dytë në Kuvend, projektligji ka marrë edhe miratimin e katër komisioneve parlamentare: Komisionit për Buxhet, Komisionit për Legjislacion, Komisionit për Integrim Evropian dhe Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim.
Miratimi i këtij projektligji përbën një hap të rëndësishëm për procesin e Kosovës drejt Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), përcjell Buletini Ekonomik.
Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), miratimi i këtij Projektligji do t’i hapë rrugë BQK-së që, pas përmbushjes së hapave të mbetur rregullativë, të procedojë me aplikimin final për përfshirjen e Kosovës në shtrirjen gjeografike të SEPA-s.
BQK kishte njoftuar para disa ditëve se tashmë ka përfunduar pjesën kryesore të përgatitjeve institucionale, ligjore, rregullative dhe teknike në kuadër të këtij procesi.
Në zbatim të Ligjit të ri për Shërbimet e Pagesave dhe me qëllim të përafrimit me kornizën përkatëse të Bashkimit Evropian, BQK kishte njoftuar se ka miratuar mbi 20 rregullore dhe akte të tjera rregullative.
Ndryshe, anëtarësimi në SEPA do të mundësonte që pagesat dhe transfertat në euro ndërmjet Kosovës dhe vendeve pjesëmarrëse të kryhen në një sistem më të integruar evropian të pagesave, me synimin për t’i bërë ato më të shpejta dhe më efikase.


