
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është duke u mbajtur seanca e rigjykimit të Endrit Nikës, i cili po akuzohet për vrasjen e të dashurës së tij argjentinase Maria Clara Urdangaray.
I dyshuari ngarkohet nga prokuroria, se e ka hedhur të dashurën e tij nga kati i gjashtë i një hoteli në Fushë Kosovë në vitin 2023
Të enjten, para trupit gjykues u dëgjua dëshmitari, Fehmi Zabeli, menaxher ne hotel, i cili në gjykatore tha se nuk i kishte parë asnjëherë as të akuzuarin, as viktimën, ndërsa për ngjarjen deklaroi që kishte marrë vesh pasi e kishte telefonuar roja i hotelit.
I pyetur nëse kishte rastisur ti shihte Endrit Nikën dhe viktimën, Zabeli deklaroi: “Jo, nuk i kam parë asnjëherë”.
Duke folur për ditën kur kishte ndodhur rasti, dëshmitari tha se kishte qëndruar në hotel, ku banonte gjatë sezonit, dhe se ndodhej dy kate më lart nga vendi ku kishte ndodhur ngjarja.
Kam qenë në hotel se gjatë sezonës qëndroj aty, aty flej. Kam qenë dy kat më lart sesa dhuna që ka ndodhë në rastin. Derisa më kanë telefonu, nuk kam ditë asgjë. S’kam dëgju asgjë, më ka telefonu roja, me emrin Ramiz. Pas pesë minutave kam dalë poshtë, se më ka thënë që ka rënë një grua”, deklaroi Zabeli.
Ai tha se më pas e kishte njoftuar Mirlindin (menaxher ne hotel), i cili, sipas tij, ishte duke fjetur, ndërsa kur kishte zbritur poshtë, nuk e kishte parë viktimën.
“Kur zbrita, nuk e kam pa vajzën, por pjesëtarët e policisë një djal edhe disa xhama, nuk e disha çka ka ndodhë”, tha ai.
Zabeli tregoi se më pas ishte paraqitur te policia dhe ishte identifikuar, duke ua dorëzuar zyrtarëve letërnjoftimin.
“Kam shku te policia, jam prezantu, ia kam dhënë një letërnjoftim. Më pas kanë ardhë patrullat tjera edhe më pas zbriti Mirlindi. Kam qëndru në recepsion dhe më pas kam shku me pushu, se kam pasë mu qu herët. Kam qëndru një dy orë dhe kam shku me fjetë”, deklaroi dëshmitari.
I pyetur nëse, pas ndodhjes së rastit, kishte parë incizimet e kamerave ku shfaqeshin Endrit Nika dhe viktima, Zabeli e mohoi një gjë të tillë.
“Jo, nuk kam pa kamera”, deklaroi ai.
Megjithatë, kur u pyet sërish nëse kishte parë pamje nga kamerat e sigurisë, ai sqaroi se një pjesë të incizimeve e kishte parë në media.
“I kam pa një pjesë shumë të shkurt kur ka ra ajo vajza, pjesën tjetër e kam pa në media”, u shpreh Zabeli.
Seanca po vazhdon.
Sipas dosjes së Prokurorisë, viktima kishte pësuar lëndime të rënda trupore dhe, përkundër trajtimit mjekësor, ajo kishte ndërruar jetë në QKUK.
Endrit Nika në shkurt të vitit 2026 ishte dënuar me 18 vite burgim, mirëpo Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.



