Ndalohet një person pas vdekjes së punëtorit në Veternik

Një person me inicialet Xh.Sh. është ndaluar për 48 orë pas vdekjes së një punëtori në një vendpunishte në Veternik të Prishtinës

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, Inspektorati i Punës, eksperti i sigurisë në vendin e punës, Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML), si dhe Drejtoria e Inspektimit të Komunës.

“Në kuadër të veprimeve të ndërmarra deri më tani, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar një person i dyshuar me inicialet Xh.Sh. për 48 orë, nën dyshimin e kryerjes së veprës penale ‘’Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’’, nga neni 358 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, në vendin e ngjarjes janë intervistuar edhe dëshmitarët okularë, ndërsa po vazhdon grumbullimi dhe administrimi i provave relevante për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti”, prokuroria.

Prokurori i çështjes, brenda afatit ligjor, do të shqyrtojë mundësinë e paraqitjes së kërkesës për caktimin e ndonjërës prej masave të sigurisë ndaj të pandehurit, në përputhje me dispozitat ligjore të Kodit të Procedurës Penale.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe organet e tjera kompetente, është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi”.

Artikuj të tjerë

Back to top button