Operacion kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës, Policia bastis disa lokacione në Kosovë

Policia e Kosovës në koordinimin me Prokurorinë Speciale është duke zhvilluar një operacion të gjerë kundër krimit të organizuar në disa lokacione të Kosovës.Sipas një komunikate të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, operacioni po realizohet bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë.Autoritetet kanë bërë të ditur se aksioni lidhet me dyshimet për trafikim ndërkombëtar të substancave narkotike dhe veprat penale që ndërlidhen me këtë aktivitet kriminal.
“Operacioni lidhet me dyshimet për trafikim ndërkombëtar me substanca narkotike në lidhje me veprat penale: ‘pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar’, ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve’ dhe ‘pastrimi i parave’”, – thuhet në njoftim.Në operacion janë përfshirë edhe përfaqësues të EUROPOL-it, si dhe autoritete nga Belgjika, Franca dhe Holanda.
Policia dhe Prokuroria Speciale kanë njoftuar se pas përfundimit të operacionit do të dalin me një komunikatë të përbashkët për të bërë të ditura rezultatet e aksionit.Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë informacione për numrin e personave të dyshuar apo lokacionet konkrete ku po zhvillohen bastisjet.



