Operacioni anti-drogë në Mitrovicë konfiskohet marihuanë, arrestohet një person

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar pamje nga një operacion i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Jugut, ku janë sekuestruar 117.9 gramë marihuanë dhe është arrestuar një person.

Sipas Sveçlës, substanca narkotike ishte ndarë në paketime të vogla dhe dyshohej se ishte e destinuar për shitje në rrugë.

Gjatë operacionit janë sekuestruar edhe para të gatshme, për të cilat dyshohet se janë përfituar nga shitja e narkotikëve.

“Vazhdon pa kompromis lufta e përbashkët institucionale kundër narkotikëve dhe shpërndarjes së tyre në rrugë. Në një operacion të realizuar nga Policia e Kosovës në Mitrovicën e Jugut, janë sekuestruar 117.9 gramë substancë narkotike e llojit marihuanë, e ndarë në paketime të vogla dhe e gatshme për shitje në tregun rrugor dhe para të gatshme, që dyshohet se janë përfituar nga shitja e narkotikëve”, ka shkruar Sveçla.

Ai ka theksuar se luftimi i narkotikëve është i rëndësishëm për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së fëmijëve dhe të rinjve.

Sveçla ka shtuar se institucionet do të vazhdojnë angazhimin për parandalimin e shpërndarjes së narkotikëve.

Artikuj të tjerë

Back to top button