Osmani nga Malisheva: Ngrihuni për Kosovën që e donin dëshmorët

Presidentja e 6-të dhe kandidatja për presidente për mandat të dytë njëherësh bartëse e listës së LDK-së, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një tubim masiv elektoral në komunën e Malishevës, duke shpalosur vizionin për drejtimin e ri të Republikës dhe duke bërë thirrje për unitet para zgjedhjeve të 7 qershorit.
Në një atmosferë të zjarrtë dhe para një numri të madh qytetarësh, Vjosa Osmani ka mbajtur një fjalim të fuqishëm në Malishevë, të cilën e ka cilësuar si një vend të sakrificës dhe simbol të qëndresës shqiptare.
Gjatë adresimit të saj, ajo u bëri thirrje qytetarëve që të ngrihen për të ardhmen e fëmijëve të tyre dhe të zgjedhin rrugën e zhvillimit dhe bashkëpunimit me aleatët strategjikë.
Në fillim të fjalës së saj, Osmani u shpreh e nderuar që ndodhej në mesin e qytetarëve të kësaj treve historike.
“Të dashur qytetarë të Malishevës, Sot jam krenare që ndodhem në mesin tuaj, në një trevë që ka ditur gjithmonë ta mbrojë Kosovën në ditët më të vështira dhe ta nderojë atë në ditët e lirisë. Malisheva është një simbol i qëndresës shqiptare. Është një vend ku liria ka emra, ka familje, ka histori dhe ka sakrificë. Prandaj sa herë vij këtu, ndiej peshën e amanetit që na kanë lënë dëshmorët dhe heronjtë e kësaj ane”.
Më tej, ajo goditi ashpër krizat aktuale politike, duke vënë në dukje se rruga e sotme e Kosovës po devijon nga idealet e çlirimtarëve.
“Ata nuk e dhanë jetën që Kosova të jetojë në grindje të pafundme. Ata nuk u flijuan që Republika të mbetet peng i krizave politike e zgjedhjeve te njëpasnjëshme. Ata nuk sakrifikuan gjithçka që të shohin të rinjtë tanë duke kërkuar të ardhmen larg Kosovës. Ata luftuan për një Kosovë të fortë. Për një Kosovë të respektuar. Për një Kosovë që ecën krenare mes kombeve të lira”.
Osmani kërkoi me ngulm një reflektim të thellë kombëtar, duke kujtuar se periudhat më të lavdishme të vendit janë shkruar vetëm përmes unitetit.
“Prandaj sot po ju them nga Malisheva: Ka ardhur momenti që Kosova të rikthehet te forca e saj më e madhe. Te bashkimi. Sepse historia jonë është e qartë. Kur kemi qenë të bashkuar kemi fituar. Kur kemi qenë të bashkuar kemi ndërtuar shtet. Kur kemi qenë të bashkuar kemi bërë të pamundurën të mundur. Ndërsa sa herë kemi lejuar përçarjen të hyjë mes nesh, kemi humbur energji, kemi humbur kohë dhe kemi humbur mundësi”.
Duke shpalosur programin e saj, ajo kërkoi që politika të largohet nga zhurma e përditshme dhe të kthehet drejt nevojave jetike të qytetarëve.
“Sot Kosova ka nevojë për një drejtim e kapitull të ri. Një drejtim ku politika flet për zhvillim ekonomik. Ku politika flet për vende pune. Ku politika flet për investime. Ku politika flet për shkolla më të mira dhe spitale më të mira. Ku politika flet për suksesin e Kosovës e jo për konfliktet e pafundme. Unë e di që ju jeni lodhur nga zhurma. E di që ju kërkoni rezultate. Kërkoni shpresë për vete, për fëmijët tuaj, kujdes më të mirë e pleqëri të dinjitetshme për familjarët tuaj të moshuar… kërkoni dritë për Kosovën”.
Në këtë garë politike, Osmani theksoi partneritetin e saj dhe rëndësinë jetike të ruajtjes së marrëdhënieve diplomatike me botën demokratike.
“Prandaj bashkë me Lumir Abdixhikun kemi hyrë në këtë garë me një mision të qartë. Ta bëjmë Kosovën më të fortë brenda. Më të respektuar jashtë. Më të zhvilluar ekonomikisht. Më të sigurt për familjet tona. Dhe më të afërt me aleatët që kanë qenë pranë nesh në çdo moment vendimtar të historisë. Sepse Kosova ka fituar gjithmonë kur ka ecur me Amerikën. Kosova ka fituar gjithmonë kur ka ecur me botën demokratike. Kosova ka fituar gjithmonë kur ka zgjedhur urtësinë, jo arrogancën”.
Në pjesën përmbyllëse të fjalimit, Osmani u shpreh plotësisht e bindur në pjekurinë politike të kësaj komune dhe lëshoi thirrjen e madhe për mobilizim gjithëpopullor.
“Malishevë, Më 7 qershor nuk votohet vetëm për një mandat. Më 7 qershor votohet për drejtimin e Republikës. Votohet për Kosovën e bashkimit apo Kosovën e përçarjes. Për Kosovën e zhvillimit apo Kosovën e stagnimit. Për Kosovën që fiton apo Kosovën që grindet me të gjithë. Dhe unë besoj tek ju. Besoj tek Malisheva. Besoj tek qytetarët që gjithmonë kanë ditur ta vendosin Kosovën mbi interesat e ngushta politike”.
“Prandaj sonte ju bëj thirrje: Ngrihuni për Kosovën që e donin dëshmorët! Ngrihuni për Republikën që meritojnë fëmijët tanë! Ngrihuni për fitoren e madhe më 7 qershor! Sepse kur ngrihet Malisheva, fiton Kosova!”, ka përfunduar Osmani.



