Prokuroria Themelore e Ferizajit ngrit aktakuzë ndaj një shtetasi maqedonas, nën akuzën për transport të marihuanës dhe lëndëve tjera narkotike

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit E.A., shtetas i Maqedonisë së Veriut, i cili që nga 30 janari 2026 ndodhet në paraburgim. Ai akuzohet për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, ekziston dyshimi i bazuar mirë se më 30 janar 2026, rreth orës 20:30, në autostradën “Arbën Xhaferi”, afër daljes në fshatin Doganaj, i pandehuri E.A. ka transportuar pa autorizim substanca narkotike.

Sipas Prokurorisë, duke vepruar sipas udhëzimeve të të pandehurve M.Q. dhe A.R., E.A. kishte shkuar me veturën e tij “VW Passat”, me ngjyrë të zezë, në hyrje të Podujevës, ku ishte ndalur te pompa e derivateve “Hib Petrol” dhe kishte kontaktuar me telefon A.R.

Pas disa minutash, aty kishte arritur një person me veturë, i cili i kishte kërkuar E.A.-së që ta përcillte. Më pas, ata ishin ndalur në parkingun e një marketi, ku kishin mbërritur disa persona me dy vetura të tipit “Mercedes” dhe një kombi “Volkswagen Transporter”.

Tutje sipas aktakuzës, “të pandehurin nuk e lejojnë të dal nga vetura, e hapin bagazhin e veturës së të pandehurit dhe vendosin një  çantë dhe një qese të najlonit,  të njëjtin e përcjellin deri në kyçje të autostradës në drejtim të Hanit të Elezit, më të arritur në dalje të autostradës në fshatin Doganaj, ndalet nga Policia dhe  gjatë kontrollit në bagazhin e veturës janë gjetur një çantë dhe një qese najloni, ku në të kishte substancë narkotike të llojit mariuhanë e ndarë në 20 paketime në peshë të përgjithshme 6121.08 gram,  me ç’ rast  sekuestrohet nga policia, –me çka ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 paragrafi 2 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës kompetente që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit për veprën penale që i vihet në barrë

Artikuj të tjerë

Back to top button