
Prokuroria Themelore në Ferizaj e ka liruar nga paraburgimi Ilir Rexhepin, i dyshuar për sulmin brutal ndaj ekipit të Klan Kosovës, përkatësisht emisionit Kiks Kosova, i cili po hulumtonte një temë në të cilën ishte i përfshirë edhe vetë i dyshuari.
Kiks Kosova ka kërkuar sqarime nga Prokuroria Themelore në Ferizaj dhe Prokuroria e Shtetit lidhur me vendimin për lirimin e Rexhepit, masat e ndërmarra ndaj tij dhe veprimet hetimore për identifikimin e dy personave të tjerë të dyshuar për pjesëmarrje në sulm.
Pyetjet zyrtare janë dërguar mbrëmë, përfshirë edhe te prokurori Ardian Emini, i cili, sipas informacioneve të redaksisë, ka qenë prokuror kujdestar në rastin e sulmit ndaj ekipit të Kiks Kosovës.
Megjithatë, deri në publikimin e këtij lajmi, Prokuroria nuk i është përgjigjur asnjërës prej pyetjeve të redaksisë.
Sipas burimeve të Kiks Kosovës, Prokuroria nuk ka kërkuar fare caktimin e masës së paraburgimit ndaj Ilir Rexhepit, i cili përveç sulmit, dyshohet edhe për vjedhjen e kamerës së ekipit, të cilën e ka dorëzuar me rastin e paraqitjes në stacion policor.
Të njëjtat burime pretendojnë se kjo lidhet me ndikimin që i dyshuari dyshohet se ka në komunitetin e tij në Ferizaj. Ky informacion nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Prokuroria, e cila nuk u është përgjigjur pyetjeve të redaksisë për arsyet e mos kërkimit të paraburgimit.
Ndërkohë, mbetet e paqartë se si janë vlerësuar rrethanat e rastit, përfshirë mundësinë e ndikimit te personat e tjerë të dyshuar dhe rrezikun e ndërhyrjes në prova, pasi dyshohet për zhdukje të pamjeve nga kamerat e sigurisë.
Megjithatë, Klan Kosova e ka kontaktuar edhe në telefon prokurorin Ardian Emini, i cili refuzoi të deklarohej, e madje tha se nuk ka çka të flas për lëndën.
“Për rastin nuk kemi çka të flasim, jam prokuror i shtetit dhe rasti është nën hetime…Natën e mirë”, tha Emini.
Në rastet e mëhershme të kësaj natyre, rrallëherë ka ndodhur që të dyshuarit të hetohen në liri dhe të mos kërkohet masë sigurie ndaj tyre.
Tre të dyshuar të tjerë ende për t’u identifikuar
Rasti nuk përfundon me lirimin e Rexhepit.
Bazuar në informacionet e Kiks Kosovës, policia është ende në kërkim të tre personave të tjerë që dyshohet se kanë marrë pjesë në sulmin ndaj ekipit të gazetarëve.
Sipas burimeve të redaksisë, Rexhepi e ka pranuar përfshirjen në rast, por personat e tjerë të dyshuar ende nuk janë identifikuar.
Kiks Kosova do të ju mbajë të informuar me zhvillimet e reja.



