Ballina

Takimi Kurti – Limaj: Nuk ka marrëveshje, VV-ja dhe Nisma do t’i vazhdojnë bisedimet

Ndonëse kanë mbetur edhe pak ditë nga përfundimi i afatit prej tridhjetë ditësh që Gjykata Kushtetuese ua vendosi deputetëve për të konstituuar Kuvendin, Nacionale mësoi ekskluzivisht nga burime të mirëinformuara se takimi i sotëm mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kreut të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, nuk prodhoi asnjë konsensus.

“Nuk ka marrëveshje në takimin që është mbajtur sot.” – i tha burimi Nacionales, duke konfirmuar se të dyja partitë vazhdojnë të mbajnë pozicionet e njëjta.

“VV-ja dhe Nisma vazhdojnë të qëndrojnë në pozicionet që kanë pasur. Bisedimet ndërmjet dy subjekteve politike do të vazhdojnë” – shtoi burimi.

Nisma Socialdemokrate vazhdon të insistojë në dakordimin e arritur mes Limajt dhe Kurtit në muajin prill.

Një burim i mirëinformuar brenda kësaj partie i tha gazetës Nacionale ditë më parë se Nisma nuk ka hequr dorë nga kushtet e saj për bashkëpunim me VV-në.

I njëjti burim ka treguar gazetës se kjo parti nuk ka hequr dorë nga ujdia që Fatmir Limaj të jetë kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Ujdia e Kurti – Limaj

Para një muaj, kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, kishte treguar se në takimin që kanë pasur me Albin Kurti, në muajin prill, në një lokal të Prishtinës, i pari i VV-së ishte dakorduar që postin e kryetarit të Kuvendit të ia jep Nismës.

Në një intervistë për emisionin “Pressing”, ai kishte treguar përmbajtjen e takimit që ka pasur me Albin Kurti.

“Kurti më ka ofru një opsion për qeverisje, që nënkupton NISMA të jetë pjesë e Qeverisë. Unë i thash e NISMA nuk është e interesuar të jetë pjesë e Qeverisë, ne mund të bëjmë partneritet Kuvendi, tani për tani nuk jemi të interesuar për qeverisje. Po shkojmë me minimumin”, kishte thënë Limaj, duke përmendur detaje tjera të bisedës.

Partneritet në nivel Kuvendi ishte që të jem kryetar i Kuvendit, si dhe në paketë ligjore. Unë thash po shkojmë me minimumin, ne në Kuvend mund të japim shërbimet tona”, ishte shprehur ai.

Megjithatë, Limaj nuk i kishte mbetur hatri që Kurti nuk e kishte mbajtur premtimin.

Në fund patëm një dakordim gojor. Ne të dy. Unë dhe Kurti. Ai mbet me diskutu me partner të vet, unë me partinë time. Ne s’kemi pasë marrëveshje me shkrim. Nuk u ndjeva keq që e propozuan Haxhiun, sepse s’kishim marrëveshje të shkruar”, kishte treguar Limaj.

Më pas, për këtë takim ka folur edhe kryetari i VV-së, Albin Kurti.

Në një intervistë për RTK-në, Kurti kishte thënë se nuk ia ka premtuar këtë post Limajt.

Unë kam pasur takime me kryetarin Limaj, takimet kanë kaluar në një atmosferë ku është rritur besimi, mirëbesimi, vullneti për të bashkëpunuar, mirëpo nuk ka pasur marrëveshje, thjesht për shkak të insistimit si shkak i një parakushti për bashkëpunim në të ardhmen me pozitën e kryeparlamentarit”, ishte shprehur Kurti.

Sipas tij, partnerët e tij të koalicionit parazgjedhor kanë më shumë deputetë se Limaj.

Unë jam në koalicion me partinë Guxo e Alternativa. Guxo i ka 6 deputetë e një partie me 3 deputetë t’ia japim kryeparlamentarin kur e ka koalicionin me një parti qe e ka dyfishin për nga numri i deputetëve, kjo e dëmton arkitekturën paraprake”, kishte thënë Kurti.

Deputetët edhe sot do të bëjnë një përpjekkej të radhës për konstituimin e Kuvendit. Kjo do të jetë hera e 47 që ata tentojnë konstituimin e seancës konstituive të legjislaturës së nëntë, e cila ka filluar më 15 prill.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button