Takimi për zgjedhjet e reja, PDK, LDK dhe AAK i përgjigjen ftesës së Haxhiut

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, do të zhvillojë të enjten, më 30 prill, një takim konsultativ me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja.

Takimi pritet të mbahet në orën 15:00 dhe në të janë ftuar të gjitha subjektet politike.

Burime kanë konfirmuar se në këtë takim do të marrin pjesë edhe përfaqësues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilat tashmë kanë pranuar ftesën.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës po ashtu e  ka konfirmuar se kryetari i kësaj partie, Bedri Hamza, do të marrë pjesë në takimin konsultativ të thirrur nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve të reja.

AAK do të përfaqësohet nga Ardian Gjini, ndërsa LDK nga Jehona Lushaku-Sadriu.

Takimi vjen në kuadër të konsultimeve për përcaktimin e datës së zgjedhjeve të reja, pas zhvillimeve të fundit politike në vend.

Paraprakisht, ushtruesja e detyrës së presidentes është takuar edhe me kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me të cilin kanë diskutuar për organizimin e procesit zgjedhor, që duhet të mbahet brenda afatit prej 45 ditësh.

Kjo situatë ka ardhur pasi Kuvendi i Kosovës nuk arriti ta zgjedhë presidentin brenda afatit të përcaktuar, ku dita e fundit ishte 28 prilli.

Artikuj të tjerë

Back to top button