Të shtëna me armë pranë shkolle në Prizren, arrestohet 21-vjeçari dhe i sekuestrohet pistoleta

Një incident me armë zjarri është raportuar të enjten në fshatin Gjonaj të Prizrenit, ku një i ri dyshohet se ka shtënë me armë nga automjeti në afërsi të një shkolle.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, më 29 janar 2026, rreth orës 12:15, autoritetet kanë pranuar informata se nga një automjet i tipit VW Golf janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Menjëherë pas marrjes së informacionit, patrullat policore janë drejtuar në vendngjarje, ku kanë identifikuar automjetin e dyshuar dhe i kanë dhënë sinjal për ndalim.

I dyshuari nuk ka respektuar urdhrin e policisë dhe është larguar me shpejtësi, duke detyruar policinë të nis ndjekjen. Në operacion janë përfshirë edhe patrulla të tjera, ndërsa paralelisht policia ka bastisur edhe shtëpinë e të dyshuarit, ku ai nuk është hasur fillimisht.

Pas veprimeve operative, i dyshuari është ndaluar. Gjatë ndërhyrjes, policia ka gjetur dhe sekuestruar armën e zjarrit – një pistoletë me pesë fishekë – të cilën i dyshuari dyshohet se e kishte hedhur në tokë.

Personi i arrestuar, H.B., 21 vjeç, është intervistuar nga hetuesit dhe me aktvendim të prokurorit është dërguar në ndalim për 48 orë. Ndaj tij kanë nisur hetimet dhe pritet ngritja e kallëzimit penal për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe “Përdorimi i armës”.

Policia e Kosovës ka ritheksuar se mbetet e përkushtuar të veprojë me vendosmëri kundër çdo akti të paligjshëm dhe të garantojë sigurinë publike për të gjithë qytetarët.

Artikuj të tjerë

Back to top button