
Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës ku pritej konstituimi i organeve të reja të këtij institucioni ka nisur me një orë vonesë.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ia ka dhënë fjalën kreut të LVV’së, Albin Kurti, pasi ky i fundit në seancën e parë kishte kërkuar kohë shtesë për negociata politike me opozitën dhe s’kishte propozuar një emër për kryetar të Kuvendit.
Të njëjtën gjë Kurti e ka bërë edhe në seancën e sotme, duke thënë se ka nevojë për kohë shtesë.
Në ndërkohë që Kurti kishte përfunduar fjalën e po drejtohej drejt ulëses së tij në Kuvend, e Avni Dehari po bënte thirrje që partitë të gjejnë konsensus, deputetja e Aleancës, Time Kadriaj, ka lëvizur nga vendi i saj drejt qendrës së sallës.
Ajo ka nxjerrë disa vezë nga çanta e saj, me të cilat e ka sulmuar kreun e LVV’së, Albin Kurti, në ulësen e tij në sallën e Kuvendit. Pasi ka gjuajtur me dy vezë direkt në Kurtin, deputetët e LVV’së i janë vërsulur për ta penguar, ndërkohë që njëri prej tyre edhe e ka shtyrë pak deputeten Kadriaj.
Pas kësaj, kanë ndërhyrë edhe deputetët e AAK-së, derisa Dehari ka ftuar sigurimin e Kuvendit për të mbrojtur Kurtin.



