Tregu i ri i veturave me lokacion të ri nga 11 tetori, tregtarët shprehin pakënaqësi se vendi i ri nuk ka hapsirë të mjaftueshme

Nga 11 tetori, tregu i veturave në Zonën Industriale të Prishtinës do të zhvendoset në Bërnicë të Poshtme.

Kryeqyteti ka njoftuar se tregtarët, e blerësit nga kjo datë duhet të drejtohen në lokacionin e ri.

Tregtarët që janë të rregullt këtu thonë se lokacioni i ri është më i rregulluar, por thonë se problem mbetet hapësira e vogël.

“Gjithçka çka merë vendim shteti na duhet më përkrah por është puna që është vendi i vogël që nuk na zënë gjithëve, qaty është problemi. Nëse kemi vend dalim që jo rrim të shpia. Prej mas luftës dal prej që ka fillu tregu këtu”, shprehet Ruzhdi Bekaj -tregtar.

E njëri prej tregtarëve më të hershëm në këtë treg, Hajrullah Hasani, e vlerëson pozitivisht zhvendosjen në lokacionin e ri.

“Këtu është shumë keq se krejt pluhur, ku me i qit senet, krejt neper tokë duhet me i qit, atje është shumë mirë e kanë bo asfalt e kanë rregullu veç pak është ngusht ishalla na e rritin edhe pak se ka shumë popullatë. Me padurim po e pres se është vend i mirë”, thotë ai.

Ndërkaq për ata që vijnë për të blerë, një nga çështjet që i intereson më shumë është çmimi.

“Çmimet janë shumë të shtrenjta, inflacioni ditë për ditë po rritet, rritje të pagave s’ka rritje të pensioneve jo. Këtu i blejmë do sende që janë më të lira qato duhet me i ble me u përgatit për dimër. Shkojmë edhe atje, ku të shkojnë këta na mas tyre”, shprehet ky qytetarë

Ndërkohë dikush tjetër i sheh me ndryshe çmimet në treg.

“Këtu në treg nuk janë edhe shumë të shtrenjta por pare s’ka. Unë dal jam pensioner dal me humb kohe, edhe blej”, thotë Ramë Gerxhaliu.

E pas zhvendosjes nga Zona Industriale, tregu i veturave nga 11 tetori do të funksionojë në këtë lokacion në Bërnicë të Poshtme të Prishtinës.

Artikuj të tjerë

Back to top button