650 faqe material për Policinë, Tërshani denoncon qindra kërcënime dhe fyerje

Kandidatja për deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adelina Tërshani ka dorëzuar 650 faqe material në Polici, lidhur me, siç ka thënë ajo, kërcënimet që i janë bërë.

Tërshani tha se është subjekt i qindra komenteve fyese, denigruese e kërcënuese, si pasojë e një kulture ku njerëzit mendojnë se mund të bëjnë veprime të tilla, pa pasoja.

“Jam këtu për të vendosur një vijë të qartë mes lirisë së shprehjes dhe dhunës. Që 10 vjet jam aktive në jetën publike, po sidomos tash jam subjekt i qindra komenteve fyese, denigruese, kërcënuese e plot urrejtje. Sot po dorëzoj 650 faqe material në Policinë e Kosovës, jo sepse jam lënduar nga kritika politike, në demokraci kritika është e domosdoshme, po i dorëzoj sepse askush nuk ka të drejtë të përdorë kërcënimin, poshtërimin edhe dhunën online si armë për t’i heshtur, frikësuar apo larguar gratë nga jeta publike e politike. 

Shumë e kemi toleruar një kulturë ku njerëzit fshihen mbrapa ekraneve, mendojnë se mund të shpifin, të ofendojnë e të kërcënojnë pa asnjë pasojë. Kjo duhet të marrë fund. Interneti nuk është zonë pa ligj, edhe në hapësirën digjitale ekziston përgjegjësia, edhe aty ekziston dinjiteti njerëzor, edhe aty ekziston ligji”, ka thënë Tërshani.

Ajo ka deklaruar po ashtu se secili që fyen e shan në rrjete sociale duhet të marrë dënimin e merituar.

“Ka vajza e gra që në vitin 2026 më thonë ‘Faleminderit që e ke marrë guximin të na përfaqësosh edhe në politikë’. Çfarë guximi duhet me qenë, çfarë guximi duhet për me qenë grua në politikë? Për të kandiduar, për të folur në publik? Boll më me romantizimin e gruas të fortë në politikë. Synimi nuk është për të krijuar gra që durojnë çdo gjë, synimi është që secili njeri që e merr guximin të shajë, të fyejë e jo vetëm, në secilin koment në rrjete sociale, me dalë para institucioneve të drejtësisë edhe me marrë dënimin meritor”, tha ajo.

Artikuj të tjerë

Back to top button