
Rikthimi i ndërmarrjes “Prishtina Parking” në kryeqytet pritet të bëhet me rregulla të reja për menaxhimin e hapësirave publike të parkimit, pas miratimit të Rregullores së re në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Rregullorja parasheh ndryshime në organizimin dhe menaxhimin e parkingjeve, mënyrën e pagesës dhe trajtimin e banorëve rezidentë.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Leutrim Retkoceri, thekson se rregullorja e re është hartuar pas vendimit të Gjykatës Supreme, me të cilin ishin evidentuar dispozita që binin ndesh me legjislacionin në fuqi dhe Kushtetutën e Kosovës.
Sipas Retkocerit, banorët rezidentë do të kenë një taksë vjetore, ndërsa për qytetarët e tjerë do të aplikohen tarifa sipas zonave dhe kohës së parkimit.
“Drejtoria e Shërbimeve Publike ka dërguar në Kuvend votimin e draft-rregullores për menaxhimin e parkingjeve në kryeqytet. Kjo rregullore ka kaluar në Kuvendin Komunal dhe ka ardhur si arsye e vendimit të Gjykatës Supreme, i cili është marrë në gusht të vitit 2025, për shkak të ligjshmërisë, pasi rregullorja ka rënë ndesh me disa dispozita ligjore në fuqi dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ka taksë dhe tarifë. Qytetarët që janë banorë rezidentë do të kenë një taksë vjetore, ndërsa do të jenë të liruar dhe pa pagesë të tarifave. Ndërsa për qytetarët të cilët parkohen në zona të caktuara me kohë, me biletë njëorëshe, për ta do të ketë tarifë. Kjo tarifë është vendosur në bazë të kërkesës së ndërmarrjes dhe kushteve të cilat janë analizuar nga komisioni, të cilat janë dërguar si propozime në Kuvend dhe Kuvendi i ka miratuar si të tilla”, deklaron ai.
Ai ka bërë të ditur se kërkesa fillestare e ndërmarrjes kishte qenë për rritje prej 100 për qind të taksave, por komisioni kishte aprovuar rritje rreth 40 për qind.
Sipas tij, një nga risitë e rregullores është se “Prishtina Parking” nuk do të ketë më kompetencë të vendosë gjoba. Këtë do ta bëjnë Inspektorati dhe Policia e Kosovës, varësisht nga shkeljet. Përparësi do të kenë banorët rezidentë, të cilët do të lirohen nga tarifa për veturën e parë.
Megjithatë, rikthimi i ndërmarrjes dhe ndryshimi i tarifave nuk po priten njësoj nga qytetarët. Disa prej tyre shprehin pakënaqësi për gjendjen e parkingjeve, mungesën e hapësirave dhe pagesat, për të cilat thonë se nuk përcillen me investime të mjaftueshme në infrastrukturë.
Raif Ibrahimi thotë se rikthimi i “Prishtina Parking” nuk është zgjidhje e mirë, duke iu referuar gjendjes së parkingjeve në kryeqytet.
“Mendoj që nuk është punë e mirë rikthimi i tyre (Prishtina Parkingut), për shkak se ata nuk po bëjnë investime, ata veç po marrin para kot pa bërë asnjë investim. Shikojeni gjendjen e këtij parkingu këtu, gropa prej fillimit deri në fund të parkingut, dëmtimi i gomave të kerrit. Duhet me notuar për me shkuar deri te kerri, kështu që nuk po mendoj që është punë e mirë…Në bazë të kësaj që po shihet, s’ka nevojë as me rritë çmimin, as me marrë para hiç”, theksoi Ibrahimi.
Edhe Fidaim Konjuhi kundërshton shtrenjtimin e tarifave, duke thënë se qytetarët paguajnë për parkim, por nuk e kanë të garantuar gjetjen e një vendparkimi.
“Për shtrenjtimin që e kish bërë, për pagesën boll keq. S’jemi të pajtimit asnjëri për këtë punë…E paguan parkingun edhe nuk e ke parkingun të siguruar. Endesh, endesh gjysmë ore, një orë dhe nuk ka parking…Prishtina Parkingu le të hiqet krejt, le të mbyllet, çka po na duhet? Ashtu kështu nuk na sigurojnë parkingun për kerr, pagesën po e bëjmë, atëherë s’ka nevojë hiç, pse me ia bërë pagesën?”, theksoi ai.
Ndërkaq, qytetari Yll Vuthi thotë se ndërmarrja duhet të rikthehet me çmimet e mëparshme, pasi banorët rezidentë përballen me mungesë të hapësirave për parkim në lagjet e tyre.
“Sa i përket Prishtina Parkingut, mendoj që nëse kthehet prapë, duhet të kthehet me çmimet që ka qenë, jo më të shtrenjta, për shkak se është bërë shumë ngarkesë e madhe e veturave nëpër lagje dhe ne si banorë rezidentë nuk kemi mundësi ku me parku veturën. Prandaj duhet me kqyrë me ba një zgjidhje sa më të mirë, edhe ne si banorë rezidentë, edhe kur shkojmë në ndonjë lagje tjetër, të paguajmë me një çmim më të arsyeshëm”, deklaroi ai.
KosovaPress ka kontaktuar ndërmarrjen “Prishtina Parking”, nga ku kanë bërë të ditur se rregullorja është miratuar në Kuvendin Komunal, por është ende në pritje të miratimit nga ministria përkatëse. /KP



