Shtylla elektrike në Ranoc të Klinës në prag të rrëzimit, rrezikohen banorët, nxënësit dhe kalimtarët

Një shtyllë elektrike e tensionit të lartë është lakuar rëndë në bazament dhe rrezikon të rrëzohet në kryqëzimin që lidh fshatrat Ranoc, Leskoc dhe Shtupel, në afërsi të Zllakuqanit, në komunën e Klinës.

Sipas banorëve, shtylla ndodhet në këtë gjendje prej më shumë se një jave dhe mbahet vetëm nga telat e disa shtyllave të tjera prej betoni.

Ata thonë se për këtë problem kanë njoftuar KEDS-in, Komunën e Klinës dhe Policinë, por deri më tani nuk ka pasur ndërhyrje.

Edhe pse rasti është raportuar edhe në media para katër ditësh, gjendja në terren vazhdon të jetë e njëjtë.

Rrëzimi i mundshëm i shtyllës mund të shkaktojë edhe këputjen e telave elektrikë, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e banorëve, fëmijëve, nxënësve dhe drejtuesve të automjeteve që kalojnë në këtë rrugë të frekuentuar.

Banorët kërkojnë reagim urgjent nga institucionet. Ata shpresojnë që ndërhyrja e Inspektoratit Komunal të ndikojë në reagimin e KEDS-it dhe të mundësojë marrjen e masave parandaluese, para se të ndodhë ndonjë incident me pasoja të rënda.

Artikuj të tjerë

Back to top button