
Trupi gjykues në rastin Banjska vendosi që seanca e sotme të zhvillohet e mbyllur për publikun dhe mediat, pasi gjatë saj do të dëgjohet një dëshmitar anonim me masa të veçanta sigurie.
Prokurori i Shtetit, Naim Abazi, kërkoi që dëshmia e dëshmitarit F1 të jepet pa praninë e publikut dhe mediave, duke theksuar rëndësinë e mbajtjes së identitetit të tij të fshehur.
“Kam një kërkesë: sot do të dëgjohet dëshmia e dëshmitarit F1, prandaj paraqes kërkesë për mbylljen e kësaj seance për publikun, që kjo mbyllje të jetë gjatë dëshmisë së dëshmitarit, i cili është dëshmitar anonim. Mbyllja e kësaj seance është e domosdoshme, pasi që përjashtimi i individëve të caktuar nga salla nuk do të mjaftonte për të garantuar mbrojtjen e kërkuar. Dëshmitari është nën masa të veçanta të sigurisë dhe ruajtja e anonimitetit të tij është kusht themelor për paraqitjen e tij të lirë dhe dëshmisë që do të japë. Prandaj kërkoj që kjo të zhvillohet në mënyrë të mbyllur, pa praninë e mediave, publikut, që të garantohet mbrojtja e këtij dëshmitari. Gjatë dëshmisë së tij mund të zbulojë ndonjë rrethanë”, tha prokurori Abazi.
Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, tha se gjykata ka marrë masa që dëshmia të jepet përmes një dhome teknike për të mbrojtur identitetin e dëshmitarit.
“Duke u bazuar në cilësinë e dëshmitarit që është anonim, kemi marrë të gjitha masat për të mos u zbuluar. Dëshminë do ta japë nga dhoma teknike me video, ku nuk do të mund të shihet figura e tij. Këtu konsiston zbulimi i identitetit të tij”, tha gjykatësi Hoti.
Por, avokati i palës mbrojtëse, Lubomir Pantoviq, e kundërshtoi këtë kërkesë, duke theksuar se ekzistojnë mundësi teknike për të mbrojtur identitetin edhe në një seancë të hapur.
“Pasi ekziston mundësi teknike që ky dëshmitar të dëshmojë nëpërmjet video-lidhjes me ndryshimin e fotografisë dhe zërit, unë e kundërshtoj këtë propozim të Prokurorisë Speciale. Sa i përket çështjes së pyetjeve dhe përgjigjeve të këtij dëshmitari, të cilat eventualisht mund të zbulojnë identitetin e tij, këtu është trupi gjykues, i cili do të bëjë kontroll të pyetjeve dhe t’i ndalojë. Për këtë arsye e kundërshtoj”, tha avokati Pantoviq.
Në fund, trupi gjykues vendosi ta pranojë kërkesën e Prokurorisë për zhvillimin e seancës me dëshmitarin F1 pa praninë e publikut dhe mediave.
“Pas propozimit të Prokurorisë, merr aktvendim: aprovohet propozimi i Prokurorisë që në rastin e dëgjimit të dëshmitarit F1 të përjashtohen publiku dhe mediat, pasi masat e marra nga gjykata si dhe ndryshimet e figurës dhe zërit të këtij dëshmitari, nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur qëllimin. Pasi bazuar në rrethanat e rastit, për të cilat do të dëshmojë, dëshmitari ka gjasa që të zbulohet identiteti i tij”, thuhet në vendimin e trupit gjykues.