Presidenti i Lituanisë thotë se aeroplanë ushtarakë rusë shkelën hapësirën ajrore

Aeroplanët ushtarakë rusë për një kohë të shkurtër e shkelën hapësirën ajrore të Lituanisë të enjten në mbrëmje, tha presidenti i vendit, duke e dënuar atë që e quajti shkelje flagrante të integritetit territorial të shtetit që është anëtar i NATO-s dhe BE-së.

Ministria e Jashtme e Lituanisë planifikon që të thërrasë në takim përfaqësues të Ambasadës së Rusisë në Vilnius për të protestuar për këtë shkelje, tha në rrjetin X presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Nuk pati koment të menjëhershëm nga Moska.

Vendet baltike tashmë kanë qenë në gjendje të lartë vigjilence për shkak të agresionit të Rusisë fqinje në Ukrainë. Në javët e fundit, një varg i incidenteve misterioze me dronë dhe i shkeljeve të hapësirës ajrore nga aeroplanët luftarakë rusë e kanë shtuar shqetësimin se presidenti rus, Vladimir Putin, mund të jetë duke e testuar vendosmërinë e mbrojtjes së NATO-s.

Forcat e armatosura të Lituanisë thanë në një deklaratë se rreth orës 18:00 sipas kohës lokale të enjten, dy aeroplanë ushtarakë rusë hynë në hapësirën ajrore të këtij shteti për rreth 700 metra – një aeroplan SU-30 dhe një aeroplan për rimbushje me karburant, IL-78. Ata u larguan pas rreth 18 sekondash.

Ushtria lituane beson se aeroplanët ushtarakë mund të kenë qenë duke kryer ushtrime për rimbushje me karburant në ekslavën ruse, Kaliningrad, e cila shtrihet mes Lituanisë dhe Polonisë.

Dy aeroplanë luftarakë spanjollë, të cilët ishin duke kryer misione të vëzhgimit ajror të NATO-s, u angazhuan dhe fluturuan drejt zonës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button