Bllokimi i buxhetit të kryeqytetit, Rama: Qytetarët po rrezikohen si asnjëherë më parë

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama, ka mbajtur konferencë për media ku ka folur për bllokimin e buxhetit nga ana e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.

Rama ngriti shqetësime serioze për gjendjen financiare të institucioneve lokale në kryeqytet.

Ai theksoi se qytetarët po rrezikohen si asnjëherë më parë.

““Në historinë e shtetit të Kosovës, rrallëherë kemi parë të rrezikohen qytetarët deri në këtë shkallë. Për më shumë se një vit, kanë alokuar buxhetin që i duhet kryeqytetit, por buxheti i Prishtinës është bllokuar për çështje politike. Ne kemi dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit Murati për shkelje të ligjit; jemi drejtuar te kryeministri, te presidentja dhe te Gjykata Kushtetuese. Qytetarët e Prishtinës kanë mbetur pa paga”, tha Rama gjatë konferencës për media.

Numri një i kryeqytetit, bëri të ditur se situata ka arritur në pikën kritike, duke konfirmuar ndërprerjen e transportit publik nga dita e nesërme.

“Sapo e përfundova takimin me ndërmarrjen e transportit publik dhe, që nga nesër, transporti publik fatkeqësisht do të ndalet. Me keqardhje të thellë e them se nuk e kam besuar se qytetarët e këtij vendi do të viheshin në rrezik për shkak të çështjeve të biznesit”, u shpreh kryetari i Prishtinës.

Ai iu bëri thirrje institucioneve qendrore që të ndërhyjnë menjëherë për të zhbllokuar situatën.

“Në cilësinë e kryetarit të kryeqytetit, qytetarët janë përcaktuar që unë ta drejtoj edhe për një mandat. Ju bëj thirrje të gjitha institucioneve, zyrtarëve dhe ministrave: veproni. Zgjedhjet kanë përfunduar, tani është koha t’u kthehemi punës”, shtoi ai.

Artikuj të tjerë

Back to top button