Edi Rama: Mora ftesë personale nga Trumpi për të përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se ka marrë një ftesë personale nga Presidenti amerikan Donald Trump, për të përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes të ngritur për rindërtimin e Gazës.
Përmes një postimi në Facebook, ai u shpreh shumë i nderuar nga kjo ftesë.
“Shumë i nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump për ta përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes, një organizatë e re ndërkombëtare e ideuar prej tij, ku Shqipëria ftohet si anëtar themelues, duke ngjitur kështu ndërkombëtarisht një tjetër majë krejt të paimagjinueshme vetëm deri pak vite më parë”, shkroi Rama në Facebook.
Ai tha se nuk ka se di të jetë më krenar për Shqipërinë, “për gjithçka kemi bërë në këto vite duke e kthyer në një Shqipëri tjetër, të dinjitetshme e të respektuar botërisht si asnjëherë, e pa diskutim edhe për nivelin ku e kemi ngritur marrëdhënien e partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u ftuar me një respekt e vlerësim krejt të posaçëm nga Presidenti Donald J. Trump, për t’u bërë pjesë e një bordi ndërkombëtar të krijuar e kryesuar prej atij vetë dhe për të punuar së bashku me të”.
“Thank you, Mr. President. God bless Albania and the United States”, tha Rama në këtë postim.
Çfarë është Bordi i Paqes?
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka zyrtarizuar krijimin e të ashtuquajturit “Bordi i Paqes” për Gazën, një strukturë e re që synon administrimin e përkohshëm dhe rindërtimin e territorit pas luftës mes Izraelit dhe Hamasit. Mes anëtarëve themelues të bordit janë Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe ish-kryeministri britanik Tony Blair.
Sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë, në bordin ekzekutiv themelues bëjnë pjesë gjithashtu i dërguari i posaçëm i Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, dhëndri i presidentit Jared Kushner, drejtuesi i një fondi investimesh Marc Rowan, presidenti i Bankës Botërore Ajay Banga, si dhe këshilltari amerikan i sigurisë kombëtare Robert Gabriel. Vetë Trump do të kryesojë bordin, që është pjesë e planit të tij me 20 pika për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza.
Bordi pritet të mbikëqyrë përkohësisht procesin e rindërtimit, ndërsa anëtarë të tjerë do të emërohen në javët në vijim. Paralelisht, është krijuar edhe një komitet teknokratik palestinez me 15 anëtarë për administrimin e përditshëm të Gazës pas luftës.
Plani amerikan parashikon gjithashtu vendosjen e një Force Ndërkombëtare Stabilizimi për garantimin e sigurisë dhe çarmatimin e plotë të Hamasit. Ndërkohë, situata në terren mbetet e brishtë, me shkelje të vazhdueshme të armëpushimit dhe një krizë të thellë humanitare në territor. /a2cnn



