Keqpërdori kartelën bankare dhe shpenzoi rreth 2,400 euro – ky është i arrestuari në Prishtinë

Një rast i keqpërdorimit të kartelës bankare është zbuluar në Prishtinë, ku si i dyshuar ka përfunduar në pranga Fikret Kruezi, nën dyshimin se ka realizuar pagesa të paautorizuara me kartelën e një qytetari, duke i shkaktuar dëm financiar të konsiderueshëm.
Ngjarja lidhet me datën 29 janar 2026 në rrugën UÇK, ndërsa ndalimi i të dyshuarit është bërë më 30 janar rreth orës 20:00, pas veprimeve hetimore dhe identifikimit të tij nga organet e rendit.
Sipas të dhënave nga burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin, i dyshuari dyshohet se ka përdorur kartelën bankare pa autorizim dhe ka kryer pagesa në disa lokacione të ndryshme, në vlerë totale rreth 2 mijë e 400 euro.
Pas shoqërimit në polici dhe intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, Fikret Kruezi është dërguar në ndalim për 48 orë.
Rasti është iniciuar për keqpërdorim të kartelës bankare dhe hetimet janë në zhvillim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.



